Lidhje

Rënia në prostitucion dëshmon gjendjen e vështirë të refugjatëve të rinj në Greqi


‘Unë jam në vend të xhaxhait tuaj,’ i siguroi sërish vëllezërit Ali, 17 dhe Ahmad, 16, i moshuari, përpara se t’i linte në dorë Ahmadit një kartëmonedhë 20-euroshe.

Djemtë sa kishin mbërritur në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, teksa i largoheshin Afganistanit e vrasësve të babait të tyre, talebanëve, por ende nuk i kishin shpëtuar plotësisht rrezikut.

Kur e takuan për herë të dytë këtë zotëri një javë më vonë, ai nuk ishte më vetëm – dhe vëllezërit për një fije i shpëtuan rrëmbimit.

Në Greqi është në rritje numri i rasteve të raportuara të refugjatëve të rinj në moshë e të pashoqëruar, që tërhiqen në rrugën e prostituimit.

Këto raportime janë tregues të një dështimi të madh në procesin grek plot boshllëqe të azilkërkimit, peng i të cilit vazhdojnë të mbeten fëmijët nën moshë dhe të pashoqëruar.

Pa familje, pa para

Aliu dhe Ahmadi kanë mbërritur në sheshin Victoria, në qendër të Athinës, një pikëtakim i njohur për refugjatët.

Si mijëra të tjerë, të cilët kanë ndërmarrë udhëtime rraskapitëse pa shoqërimin e të rriturëve për të mbërritur në Europë, gjenden papritur në një qytet të panjohur, pa ndihmë dhe pa asnjë ide se çfarë të bëjnë.

“Shkuam në sheshin Victoria sepse nuk dinim ku të shkonim tjetër; menduam se atje do gjenim dikë që të na ndihmonte,” thotë Aliu.

“Në fillim ky zotëri na u duk shumë i sjellshëm.”

Por s’ishte aspak i tillë. Takimi i dytë - një kërkesë që djemtë t’i kthenin paratë, pasuar nga një përpjekje për t’i rrëmbyer; taktika tipike për t’i tërhequr të rinjtë refugjatë drejt tregut të seksit, thotë Tasos Smetopoulos, punonjës social.

Qëkurse 60,000 refugjatë dhe emigrantë u bllokuan në Greqi prej mbylljes së kufijëve pranverën e kaluar, sheshi Victoria dhe parku aty pranë, Pedion tou Areos, u bënë të njohur si vendet ku djem të rinj dhe adoleshentë shesin trupin për të fituar para.

“Në këtë zonë ka pasur prostitucion edhe përpara krizës së refugjatëve,” shpjegon Smetopoulos, “por pas krizës është rritur numri i atyre që prostituohen dhe është ulur ndjeshëm mosha e tyre”.

Klientët, shpesh të moshuar grekë, u ofrojnë djemëve edhe 15 vjeç një pagesë të vogël e ndonjëherë, një vend ku të rrinë e bëjnë dush.

Të dëshpëruar për para dhe të etur për t’u larguar nga Greqia, disa rrezikojnë në këtë botë të vetëm. Të tjerë, shprehet Smetopoulos, bien në kurthin e prostituimit.

“Kam parë burra e djem” shpjegon 18-vjeçari Muhammed Ansari, një afgan që pret miqtë në sheshin Victoria.

“Më janë afruar, por u kam thënë jo. Por ata që sillen këtej nuk kanë as familje, as para”.

Jashtë radarit

Pavarësisht procesit të identifikimit që duhet t’i nënshtrohet çdo refugjat që hyn në Greqi, disa minorenë të pashoqëruar s’po regjistrohen dot dhe as nuk po u sigurohet mbrojtja e duhur.

Të tjerë kanë zgjedhur të rrinë “jashtë radarit” me vetdije, sepse shpresojnë të kalojnë diku tjetër në Europë, ndonëse kjo zhvendosje do ishte e jashtëligjshme pas mbylljes së kufijve. Një proces zhvendosjeje është përshpejtuar muajve të fundit, por mbetet me dhimbje tepër i ngadaltë.

Ky problem doli më në pah kur Europoli, agjencia e inteligjencës kriminale e BE-së, deklaroi se 10,000 fëmijë refugjatë të pashoqëruar ishin ‘zhdukur’ me të mbërritur në Europë.

“Disa, veçanërisht djem të rinj, janë të brishtë dhe kësisoj të hapur ndaj sugjerimeve,” thotë Maria Konti-Galinou nga Ushtria e Shpëtimit, e cila punon me refugjatë që mund të bien lehtësisht pre e shfrytëzimit seksual në qendër të Athinës.

“Duan të kursejnë para për të shkuar aty ku jetojnë familjet e tyre,” shton Galinou, që shpjegon edhe se një numër i vogël grash refugjate po bien pre e prostitucionit.

“Është njësoj sikur dikush të jetë duke dhënë shpirt dhe shfaqen sorrat.”

Sipas shifrave të agjencisë së OKB-së në ndihmë refugjatëve, në Greqi nga 2,300 fëmijë nën moshë të pashoqëruar, vetëm 1,300 prej tyre gëzojnë një ‘strehim të përshtatshëm’.

Ndryshe nga të tjerët, vëllezërit Ali dhe Ahmad tashmë ndodhen në një vend të sigurtë në zyrat e Praksisit, një OJF e cila siguron strehimin e përshtatshëm për fëmijët nën moshë.

Praksis nuk bëri ndonjë koment të veçantë për atë çka i ka ndodhur Aliut dhe Ahmadit, por në një e-mail drejtuar Zërit të Amerikës pohoi se për disa burra dhe fëmijë të pashoqëruar, që jetojnë jashtë strehëzave për shkak të mungesës së shtretërve, “gjërat kanë degraduar në atë pikë sa të bërit seks kundrejt pagesës është shndërruar në diçka të zakonshme.”

Statistikat mungojnë

Pavarësisht se sa i rëndë është problemi, shkalla e tij mbetet e paqartë.

Praksis pranoi çështjen, por pohoi se “statistikat mbi këtë kategori njerëzish në nevojë mungojnë.”

Një zëdhënës i qeverisë greke qartësoi se policia po bashkëpunon me shoqata jofitimprurëse apo organizata partnere dhe po trajnohet që të adresojë problemet e trafikimit dhe shfrytëzimit seksual të minorenëve.

Zëdhënësi shtoi se prej dhjetorit policia nuk ka marrë denoncime për raste rekrutimi minorenësh me qëllim shfrytëzimin seksual.

Megjithatë, duke e parë vetë tregun nga kafeneja e tij me pamje nga sheshi Victoria, Vasilis Kakomanolis vë në dyshim përpjekjet që po bëhen për zgjidhjen e problemit.

“Nëse të gjithë këtu e dinë çfarë ndodh, atëherë policia e di?” bën ai një pyetje retorike.

Që prej përvojës së tyre të hidhur, Aliu dhe Ahmadi tani përpiqen ta shmangin sheshin Victoria, nga frika se mund të përplasen me njerëzit që u përpoqën t’i rrëmbenin ata. Aliu shpreson që një ditë të ndjekë gjurmët e të atit dhe të bëhet dentist.

Por si të rinj afganë në Europë, një vend akoma më pak mikpritës, madje edhe ndaj refugjatëve në nevojë, e ardhmja e tyre mbetet e errët.

Për Smetopoulosin, s’janë vetëm OJF-të dhe autoritetet të cilat po dështojnë, por i gjithë komuniteti ndërkombëtar.

“Këtyre djemëve u duhet dhënë një mundësi,” thotë ai. “Fëmijët duhen trajtuar si të tillë”.

Shënim: Emrat e Aliut dhe Ahmadit janë ndryshuar për të ruajtur anonimatin.

XS
SM
MD
LG