Lidhje

Greqi, çështja e vogëlushes misterioze


Në Greqi, udhëheqësi i një komuniteti rom u shpreh sot në mbështetje të dy pjestarëve të tij, të cilët janë ndaluar nën akuzat se kanë rrëmbyer një fëmijë. Çështja lidhet me një vajzë të vogël që u gjet javën e kaluar gjatë bastisjes në një kamp rom pranë Farsalës.

Provat e ADN-së tregojnë se vajza, e njohur me emrin Maria, nuk ka lidhje gjenetike me çiftin e ndaluar nga autoritetet.

Burri 39-vjeçar dhe gruaja 40-vjeçare i kanë mohuar akuzat për rrëmbimin e vajzës dhe presin të paraqiten në gjyq.

"Ne nuk shesim as nuk blejmë fëmijë. Ne kemi vetë plot fëmijë," tha Babis Dimitriou, kreu i komunitetit rom të Farsalës.

Dje, policia greke publikoi fotografi të çiftit të akuzuar, ndërkohë që është intensifikuar kërkimi brenda dhe jashtë Greqisë për prindët biologjikë të vajzës, e cila mendohet se është mes 5 dhe 6 vjeç.

Autoritetet po përpiqen gjithashtu të gjejnë çertifikata të rreme lindjeje që mund të jenë përdorur për të përfituar ndihma nga ana e çiftit në fjalë ose nga njerëz të tjerë.

Ata po përpiqen të sqarojnë se si kjo vajzë e vogël përfundoi në duart e çiftit rom dhe po shqyrojnë një sërë skenarësh të mundshëm, si trafikim fëmijësh, madje edhe thjesht bamirësi.

"Fëmija nuk është rrëmbyer. Nëna biologjike e la fëmijën në shtëpi. Ne po prisnim që nëna të kthehej dhe prandaj ndodhi e gjithë kjo," thotë zoti Dimitriou.

Javët e fundit policia ka bastisur dhjetëra kampe romësh në të gjithë Greqinë, duke shkaktuar shqetësime mes organizatave për të drejtat e njeriut se në shënjestër po vihet i tërë komuniteti rom, për akuza që lidhen vetëm me disa pjestarë ë tij.
Gregory Valianatos, Vëzhguesi Grek i Helsinkit

"Jemi të befasuar me nxitimin, hipokrizinë dhe mospërfilljen që po tregohet ndaj kulturës rome në krejt këtë çështje," thotë Gregory Valianatos, i organizatës Vëzhguesi Grek i Helsinkit.

Organizata ka kërkuar hetime të paanshme për të sqaruar se si vajza e vogël u gjend në kampin rom.
XS
SM
MD
LG