Lidhje

BE, ultimatum Greqisë për kontrollin kufitar


Bashkimi Evropian i ka dhënë Greqisë një ultimatum tre mujor për të ndrequr “problemet” në kontrollin e kufijve, përndryshe do të përballet me pezullim të antarësimit në Zonën e Shengenit për lëvizjen pa viza.

Bashkimi Evropian miratoi të premten një dokument me një numër rekomandimesh për masa që duhet të marrë Greqia, përfshirë procedurat e regjistrimit, kontrollin e ujërave territoriale, procedurat e kontrollit kufitar, analizimin e kërcënimeve, trajnimin e personelit, përmirësime në infrastrukturë, pajisje dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Një raport i nxjerrë në fillim të muajit nga Komisioni Evropian arrin në përfundimin se Greqia nuk ka bërë sa duhet për të parandaluar fluksin e refugjatëve në territorin e saj, me destinacion Evropën veriore.

Zona e Shengenit mundëson lëvizjen pa viza për shtetasit e 26 vendeve anëtare të BE, por edhe për shtetas të tjerë që ndodhen brenda territorit të Bashkimit Evropian. Disa vende evropiane kanë vendosur kontrolle të përkohëshme kufiri për të penguar dyndjen e refugjatëve.

Organizata Ndërkombëtare e Migracionit thotë se mbi 83 mijë refugjatë mbërritën në Evropë këtë vit dhe 77 300 prej tyre zbritën në Greqi pas udhëtimit përmes detit nga Turqia.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG