Lidhje

Greqia nuk lejon futjen e teksteve mësimore për fëmijët e  emigrantëve


Policia greke nuk lejoi futjen në Greqi të një kontigjenti tekstesh mësimore në gjuhën shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Sipas burimeve greke dy shoferë të Ministrisë së Jashtme shqiptare që po transportonin librat nga Pika e Kakavijës drejt Athinës u ndaluan për disa orë dhe u kthyen pas. Ndërkohë nga burimet jo zyrtare mësohet se tekstet janë sekuestruar për të parë përmbajtjen e tyre.

Pala greke nuk ka dhënë shpjegime zyrtare për ngjarjen. Në Greqi funksionojnë prej vitesh klasa të mësimit të shqipes të cilat janë hapur nga organizata të emigrantëve në bashkëpunim me disa Bashki greke. Sigurimi i teksteve për fëmijët bëhet nga vetë prindërit dhe me ndihmën e Ambasadës shqiptare në Athinë.

Ndërkohë Ministritë e Arsimit të të dy vendeve para dy vitesh kanë nënshkruar një marrëveshje per rishikimin e teksteve shkollore. Ministritë e Arsimit shqiptare dhe greke kanë shprehur vullnetin që përmes një Komisioni dypalësh të mënjanojnë nga tekstet mësimore pikëpamjet që sjellin tensione mes dy vendeve.

XS
SM
MD
LG