Lidhje

Greqi: Vazhdojnë protestat kundër shkurtimeve buxhetore


Greqi: Vazhdojnë protestat kundër shkurtimeve buxhetore
Greqi: Vazhdojnë protestat kundër shkurtimeve buxhetore

Policia greke u përlesh sot në Athinë me mijëra vetë që kishin dalë në qendër të kryeqytetit për të kundërshtuar masat e fundit buxhetore që vendi është detyruar të zbatojë për të qetësuar kreditorët ndërkombëtarë. Zyrtarët qeveritare zhvillojnë sot një tjetër takim në përpjekje për të arritur një marrëveshje mbi shkurtimet në buxhet që janë dënuar nga sindikatat kryesore greke:

Protestuesit mbushën qendrën e Athinës, ndërkohë që një grevë e përgjithshme ka pezulluar shërbimet publike. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë qindra demonstrues që përpiqeshin të thyenin kordonin e sigurisë përreth Parlamentit grek.

Sipas burimeve policore, 10 mijë vetë morën pjesë në një marshim përgjithësisht paqësor para parlamentit. Një tjetër demonstratë po në Athinë, tërhoqi rreth 10 mijë vetë të tjerë, anëtarë të sindikatave që zhvilluan një protestë gjithashtu paqësore.

Këto protesta janë demonstrime publike të nervozizmit që i ka pushtuar grekët lidhur me shkurtimet e mëtejshme buxhetore që duhet të zbatojë Athina zyrtare, e detyruar nga kërkesat e kreditorëve.

Dje qeveria e kryeministrit Lukas Papadhimos u dha para presionit të kreditorëve, duke pranuar të bëjë shkurtime në sektorin shtetëror, ndër të cilat 15 mijë vende pune që do të shkurtohen sivjet nga një total prej 750 mijë vendesh pune.

Ky vendim thyen një tabu shekullore në Greqi, ku vendet e punës në sektorin shtetëror janë mbrojtur me fanatizëm për të mos lejuar spastrime politike nga një qeveri, apo një tjetër që përpiqet të sjellë përkrahësit e vet në institucione. Në opinionin publik grek vendimi është dënuar si luftë klasash dhe tregues i mospërfilljes që ka udhëheqja për popullatën:

“Pushimi nga puna i punonjësve të sektorit publik, por në përgjithësi pushimet nga puna janë një cak i patolerueshëm për lëvizjen punëtore. Këto shkurtime nuk bëhen për të modernizuar shërbimet publike. Ato bëhen me qëllimin e vetëm për të kufizuar kostot qeveritare, që udhëheqësve t’u mbeten më shumë para. Por me këto masa ata po shkurtojnë përfitime publike dhe sociale bazë, si arsimi, shëndetësia, sigurimet sociale dhe programet e ndihmës sociale”.

Athinës zyrtare i duhet të qetësojë kreditorët e saj, në mënyrë që të finalizojë një marrëveshje prej 130 miliardë dollarësh nga eurozona dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe të sigurojë fondet për të shlyer pagesat e këstit të borxhit në mars.

XS
SM
MD
LG