Lidhje

Greqi, vështirësi në formimin e qeverisë së re


Udhëheqësi i së Majtës Radikale në Greqi, Alexis Tsipras, filloi sot bisedimet me Presidentin Karolos Papulias për formimin e një qeverie të re, pasi votuesit hodhën poshtë masat shtrënguese ekonomike në zgjedhjet e përgjithshme.

Zoti Tsipras, i cili drejton partinë Syriza, që doli e dyta në zgjedhje, ka deklaruar se do ta përdorë afatin prej tri ditësh për formimin e qeverisë për të refuzuar masat shtrënguese, të vendosura si pjesë e një marrëveshjeje financiare me Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Njerëzit në kryeqytetin grek shprehën sot dëshpërim për gjendjen e bllokuar në parlament pas zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës.

Dje, dështuan përpjekjet e para për të formuar një qeveri të re koalicioni, një ditë pasi votuesit e zemëruar ndëshkuan partitë që mbështetën masat e shpëtimit financiar.

"Nuk mendoj se ata do të bashkëpunojnë, të paktën tani për tani. Ky vend i varfër kurrë nuk ka patur rastin të ketë dikë që me të vërtetë të kujdeset për të. Të gjithë këta politikanë kujdesen vetëm për veten," thotë një banor i Athinës.

Koalicioni i Majtë Radikal, i udhëhequr nga Alexis Tsipras, ka tre ditë afat për të arritur një marrëveshje për ndarjen e pushtetit. Qeveria e re duhet të formohet deri më 17 Maj përndryshe do të duhet të mbahen zgjedhje të reja.

Partia Syriza zuri vendin e dytë në zgjedhjet e së dielës, pas një fushate të fortë me premtimin për të hedhur poshtë marrëveshjet e shpëtimit financiar që e mbajtën vendin më këmbë por që, nga ana tjetër, sollën masat e ashpra shtrënguese.

Greqia ndodhet në vitin e pestë të recesionit dhe niveli i papunësisë është mbi 20 për qind.
Fituesja e zgjedhjeve, partia konservatore Demokracia e Re, mori dje goditjen e parë në përpjekjet për formimin e një qeverie duke mos arritur të gjejë mbështetje të mjaftueshme nga partitë e tjera.

Në parlament ka hyrë edhe një grup i ekstremit të djathtë por asnjë parti nuk ka vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme.

Bllokimi politik mund të bëjë që Greqia të përballet me një tjetër cikël zgjedhjesh muajin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG