Lidhje

Greqi: zgjedhje të parakohshme më 25 janar


Kryeministri grek Antonis Samaras bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme më 25 janar, pasi ligjvënësit nuk arritën të zgjedhin një president të ri në raundin e tretë dhe të fundit të votimit. Zgjedhjet e parakohshme mund të sjellin në pushtet partinë e majtë Syriza dhe Bashkimi Evropian si dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar shqetësohen se kjo parti mund të kthejë prapa shumë nga reformat ekonomike të vendit.

Në një fjalim televiziv me të cilin njoftoi datën e zgjedhjeve, zoti Samaras tha se "Greqia nuk ka kohë për të humbur" dhe i bëri thirrje publikut ta mbështesë atë në zgjedhjet e ardhshme ", për të siguruar stabilitetin në vend."

"Më vjen keq për ankthin që ndien secili qytetar grek, dhe jam këtu për të garantuar ecurinë e sigurt të vendit. Që nga fillimi detyra jonë ishte shumë e vështirë, ne ishim shumë afër daljes plotësisht nga kriza. Por unë garantoj se vendi do të lundrojnë drejt porteve të sigurta e të qëndrueshme, '' tha zoti Samaras.

Komisioneri i Çështjeve Ekonomike të Bashkimit Evropian Pierre Moskovici i bëri thirrje votuesve grekë të mbështesin reformat ekonomike, thelbësore për begatinë e vendit brenda Eurozonës.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nënkupton se tregjet financiare dhe partnerët e Greqisë në Bashkimin Evropian do të përballen me javë të tëra pasigurie që mund të minojë shenjat e brishta të rimëkëmbjes ekonomike.

Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, që kanë mbikëqyrur dy paketat ndërkombëtare të shpëtimit financiar për Greqinë, shqetësohen se Syriza mund të kthejë prapa shumë nga reformat ekonomike të vendit, që janë në proces.

"Në karrierën time të gjatë në politikë kam përjetuar zgjedhjen e të gjithë presidentëve greke deri tani. Mendoj se votimi i sotëm ishte më delikati, sepse kjo rrezikon përparimin e vendit për dekada të tëra," tha Ioannis Tragakis, zëvendës kryetar i parë i parlamentit.

Banorët e Athinës ndërkohë shprehën pak besim në ndryshime, pavarësisht nga rezultati i votimeve.

"Çfarëdo që të ndodhë në zgjedhje ne do të jemi në borxh për 50 vitet e ardhshme, kështu që asgjë nuk do të ndryshojë për ne, qytetarët e thjeshtë," thotë Stela Zugu.

Sondazhet e fundit të opinionit tregojnë se koalicioni qeverisës i kryeministrit Antonis Samaras vjen pas Syrizës, e cila synon të rinegociojë kushtet e ndihmës dhe të shfuqizojë masat shtrënguese të imponuara nga kreditorët.

Reformat e kërkuara nga kreditorët kanë përmirësuar financat e qeverisë, por kanë qenë një barrë e rëndë për grekët. Papunësia është rritur dhe shumë njerëzve u janë ndërprerë pagat dhe përfitimet.

"Çdo muaj kur marr pensionin, marr gjithnjë e më pak. Kemi arritur fundin," thotë Maria Stathopoulou.

Ajo thotë se politikanët e kanë kthyer këtë vend, dikur të buzëqeshur, në një vend trishtimi, prandaj duhet të largohen.

XS
SM
MD
LG