Lidhje

Bruksel, diskutime intensive për Greqinë


Presidenti i Eurogrupit, Dijsselbloem dhe ministri i ri grek i financave, Euclid Tsakalotos

Presidenti i Eurogrupit, Dijsselbloem dhe ministri i ri grek i financave, Euclid Tsakalotos

Ministrat evropianë të financave u mblodhën në Bruksel për një takim të ngutshëm, ku qeveria greke pritej të bënte propozime të reja për të siguruar një marrëveshje ndihme dhe për të shmangur daljen e vendit nga Eurozona.

Eurogrupi ishte mbledhja përgatitore për një takim të krerëve të vendeve të Eurozonës, i planifikuar për sonte, në të cilën Kryeministri grek Aleksis Tsipras duhet të bindë të 18 udhëheqësit e tjerë.

Shumë prej këtyre udhëheqësve janë të lodhur me pesë vitet e krizës greke, për të autorizuar një kredi të re shpëtimi. Përballja e sotme mund të përcaktojë gjithashtu nëse bankat greke do të rihapen gjatë kësaj jave, apo do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura.

Kreu i Eurodrupit Jeroen Dijsselbloem tha se tani për tani nuk ka pasur propozime të reja nga ministri grek, dhe hapi i parë do të jetë që qeveria greke t'i dërgojë Eurogrupit një kërkesë të re.

Trysnia mbi Athinën është rritur, ndërkohë që një nga huadhënësit e saj kryesorë, Banka Qendrore Evropiane, ka vendosur të mos e rrisë sasinë e fondeve emergjente për bankat greke. Pa ndihmë nga jashtë, këto banka pritet të mos kenë më para të mërkurën, në një kohë që Greqia përsëri nuk do të jetë në gjendje të shlyejë pagesën ndaj kreditorëve evropianë këtë muaj.

Në deklaratat e tyre ministrat e financave ishin të ndarë lidhur me qëndrimin që duhet të mbajnë ndaj Greqisë.

Ministri gjerman, Wolfgang Scheuble:

"Pa një program, nuk është e mundur të ndihmohet Greqia në kuadrin e Eurozonës. Sigurisht BE-ja ka detyrime për ta ndihmuar Greqinë, por ajo që ne po presim me padurim është një vendim nga qeveria greke.”

Ministri finlandez, Alexander Stubb:

"Jo, nuk jemi të gatshëm ta lehtësojmë borxhin grek. E bëmë këtë në vitin 2011 dhe përsëri në 2012. Mendoj se koha po mbaron, afati i fundit është 20 korriku.”

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker i tha sot Parlamentit Evropian se qeveria greke duhet të dalë me propozime për të zgjidhur krizën e borxhit.

"Topi është në fushën e qeverisë greke dhe qeveria greke duhet të shpjegojë në Bruksel sot, se si e sheh daljen nga kjo gjendje. Presidenti i Komisionit Evropian dhe Komisioni Evropian janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë që të nevojshme në një afat kohor të arsyeshëm për të arritur një marrëveshje."

Zoti Juncker tha se është kundër atyre të cilët bëjnë thirrje që Greqia të detyrohet të dalë nga Eurozona, por kritikoi gjithashtu autoritetet e Athinës për retorikën që kanë përdorur.

"Nxjerrja e Greqisë nga bashkimi monetar madje nga Bashkimi Evropian nuk është diçka që ne e dëshirojmë. Komisioni Evropian do të vazhdojë të punojë për një hapje të vërtetë negociatash me Greqinë," tha zoti Juncker.

Komisioneri i BE-së për ekonominë, Pierre Moskovici tha se një dalje e Greqisë nga Euroja do të ishte një dështim i tmerrshëm, kolektiv.

"Presioni është sidomos mbi grekët, bankat janë të mbyllura dhe situata është e vështirë. Mendoj se qeveria greke ka interes të dalë sa më shpejt me zgjidhje serioze dhe të besueshme."

Bankat greke qëndruan sot të mbyllura për të nëntën ditë. Disa njerëz të intervistuar në rrugët e Athinës thonë se do të përpiqen të jenë të durueshëm, ndërsa kryeministri i tyre negocion për një marrëveshje në Bruksel.

"Do të ishte një mrekulli nëse bankat hapen për dy ditë. Nuk besoj se kjo do të ndodhë. Duhet një periudhë kalimtare në mënyrë që bankat të mund të rifitojnë besimin e popullit, që njerëzit të mos vërsulen për të kërkuar paratë,” thotë inxhinieri Pavlos Kristou.

"Nuk dua të them diçka të keqe. Unë e dua vendin tim. Për fat të keq qeveria e ka sjellë vendin në prag të shkatërrimit. Të shkretët të rinjë që jetojnë me pensionet e prindërve. Çfarë do të ndodhë me këta fëmijë të varfër?" thotë Nikos.

Nëse bankat greke mbeten pa para dhe vendit do t’i duhet të shtypë monedhën e vet, kjo mund të çojë në daljen e Greqisë nga Euroja dhe ajo do të ishte vendi i parë që do ta bënte këtë duke krijuar një precedent dhe duke ngritur dyshime në lidhje me qëndrueshmërinë afatgjatë të bashkimit monetar evropian.

XS
SM
MD
LG