Lidhje

Greqia do të rishikojë ligjin për narkotikët

  • Raimond Kola

Greqia do të rishikojë ligjin për narkotikët

Greqia do të rishikojë ligjin për narkotikët

Greqia do të rishikojë ligjin për narkotikët ndërkohë që vazhdon të përballet me sasi të mëdha të hashashit që futen nga Shqipëria. Projektligji i paraqitur nga Ministria greke e Drejtësisë parashikon dënime më të ulta për përdoruesit e lëndëve narkotike.

Greqia pritet të rishikojë legjislacionin për mbajtësit dhe përdoruesit e lëndëve narkotike në përpjekje për të ulur numrin e përdoruesve dhe trafikimin e llojeve të lehta të drogës. Ministria greke e Drejtësisë ka paraqitur në Parlamentin grek një Projektligj të ri i cili parashikon dënime më të buta për mbajtësit e lëndëve të lehta narkotike dhe ndaj përdoruesve.

Mjetet greke të informimit citojnë burimet zyrtare greke ,sipas të cilave rreth 300 persona vdesin në këtë vend nga përdorimi i drogës. Shifrat e përdoruesve janë veçanërisht të larta në burgjet greke ku rreth 40% e të burgosurve përdorin lëndë narkotike. Projektligji i ri ka ngjallur debate në opinionin publik grek pasi parashikon sanksione më të buta edhe ndaj kultivuesve të llojeve të lehta të narkotikëve. Ndërkohë që vendi po përjeton një krizë të rëndë ekonomike dhe financiare hapa të tilla priten me skepticizëm nga grekët e thjeshtë.

Ndërkohë Greqia vazhdon të përballet me raste të shumta të trafikimit të lëndëve narkotike dhe veçanërisht hashashit nga Shqipëria. Si në kufirin verior grek me Shqipërinë edhe në hapësirën detare policitë greke dhe shqiptare kanë bllokuar gjatë këtij viti disa qindra kilogramë bimë narkotike e destinuar kryesisht për tregun turistik grek. Trafikantët shqiptarë përbëjnë edhe pjesën më të madhe të të burgosurve të dënuar për trafik të lëndëve narkotike në Greqi.

Gjykatat greke, sidomos në qytetin verior grek të Janinës dhe atë të Korfuzit fqinj me Shqipërinë, kanë aplikuar dënime tejet të ashpra për transportuesit shqiptarë të lëndëve narkotike që bllokohen në Greqi. Shumica e tyre janë korrierë në moshë të mitur që përdoren nga rrjetet e fuqishme të trafikut të narkotikëve që veprojnë në të dy vendet.

XS
SM
MD
LG