Lidhje

Greqia kërkon kushte lehtësuese


Greqia është tani në vitin e pestë të recesionit – gjendje për të cilën disa thonë se i ngjan një depresioni të plotë

Në Greqi, tre parti politike, Demokracia e Re, e Majta Demokratike dhe PASOK, ranë dakord për formimin e një qeverie koalicioni dhe kryetari i Demokracisë së Re, Antonis Samaras bëri betimin si kryeministër. Ndërkohë, nga Athina po dëgjohen thirrje në rritje për të rinegociuar kushtet e paketës financiare të imponuar nga Bashkimi Evropian. Për disa analistë, kushtet e ndihmës ndërkombëtare janë të papërballueshme për këtë vend të mbytur në borxhe.

Debatet janë zhvendosur tani tek hapat e nevojshëm për të stabilizuar ekonominë.

Deputetja Olga Kefalogianni thotë se mes palëve ekziston konsensusi se kushtet e paketës së shpëtimit prej 168 miliard dollarësh mund të kenë qenë tepër të ashpra.

"Partnerët tanë duhet ta kuptojnë se ata duhet të na japin njëfarë hapësire për frymëmarrje. Reformat janë të nevojshme, por ne nuk mund të punojmë me një paketë kaq të ashpër, e cila në fakt po na mban në rrethin vicioz të recesionit".

Greqia është tani në vitin e pestë të recesionit – gjendje për të cilën disa thonë se i ngjan një depresioni të plotë.

Ekonomisti Yanis Varoufakis thotë se është e qartë se masat e kursimit të kërkuara nga FMN-ja dhe Bashkimi Evropian në këmbim të dy paketave të shpëtimit, më tepër e kanë penguar, se sa ndihmuar ekonominë greke.

"Kushtet e paketës së shpëtimit janë tejkaluar tashmë nga realiteti ekonomik, kështu që, çdo parashikim apo hipotezë mbi të cilat ato janë formuluar, tashmë nuk ka më vlerë."

Pavarësisht nga paketat e shtrenjta financiare për katër vende të eurozonës, kostot e huamarrjes janë rritur në nivele të papërballueshme në vendet me borxhe të mëdha si Italia dhe Spanja.

Zoti Varoufakis thotë se, pa masa të përbashkëta për zgjidhjen e krizës së borxhit, një dalje e Greqisë nga eurozona mund të ishte vetëm fillimi.

"Nëse nuk bëjmë këto gjëra, atëhere nuk mund të flitet më për eurozonë".

Privatisht, disa zyrtarë të BE-së kanë shprehur shqetësime të ngjashme. Një zyrtar madje është shprehur në Tweeter se do të ishte “marrëzi” nëse vihen në zbatim kushtet e tanishme të paketës së shpëtimit.

Por menaxheri i investimeve Justin Urquhart Stewart thotë se qeveria e re e Greqisë do të ketë hapësirë të kufizuar për të negociuar.

"Qeverisë greke i duhet të tregojë se ajo po përpiqet të rinegociojë kushtet e paketës. Por ajo ka një hapësirë të kufizuar për ta bërë këtë. A do të mund të ndryshojë ajo elementët bazë të kësaj pakete? Përgjigja është jo."

Shumë do të varet nga Gjermania. Ekonomia më e madhe e bllokut ka hapur tashmë mundësinë e zgjatjes së afatit për disa pagesa, por në prag të takimit të nivelit të lartë të G-20s në Meksikë, kancelarja Angela Merkel përsëriti besimin e saj se kushtet themelore të marrëveshjes – një ulje drastike e raportit mes borxhit dhe GDP-së së Greqisë, janë të panegociueshme.
XS
SM
MD
LG