Lidhje

Greqia fillon shkëmbimin e obligacioneve


Greqia filloi shkëmbimin e obligacioneve të lëshuara nga qeveria dhe që mbahen nga investitorët privatë. Ato do të zëvendësohen me bono të reja, vlera e të cilave është më pak se gjysma e të parave. Ndërkohë, ministrat e financave u mblodhën sot në Bruksel për të miratuar dhënien e këstit nga një paketë e dytë e shpëtimit financiar prej 130 miliard eurosh.

Shkëmbimi i bonove fillon pas arritjes së një marrëveshjeje të premten – më e madhja e këtij lloji në histori, e cila i hap rrugën një pakete të dytë ndërkombëtare shpëtimi për Greqinë.

Duke folur në Athinë, analisti i tregjeve, Theodore Krintas tha se ai pret që bonot e reja të kenë një vlerësim të ulët krediti, deri sa Greqia të përmirësojë imazhin e saj të borxhit.

"Duke pasur parasysh rrethanat, gjendjen e borxhit grek dhe publicitetin që i është bërë, pres që agjencitë e kreditit të tregohen të matura dhe ta rrisin gradualisht shkallën e vlerësimit," thotë zoti Krintas.

Javën e kaluar, 83.5 për qind e investitorëve privatë që zotërojnë obligacione greke ranë dakord me marrëveshjen, e cila i bën ata të humbasin më shumë se 70 për qind të vlerës së tyre.

Afati i fundit për obligacionet që i nënshtrohen ligjit të huaj është zgjatur deri më 23 mars.

Zoti Krintas tha se ai pret që agjencitë e kreditit të bëjnë vlerësimin e obligacioneve të reja sapo procesi i shkëmbimit të ketë përfunduar.

"Kur të ndodhë kjo, ndoshta në fund të marsit, atëherë agjencitë e kreditit do të bëjnë përsëri vlerësimin dhe në fakt ne presim që Greqia të dalë nga statusi i tanishëm negativ e të ngrihet ndoshta në shkallën CCC”.

Agjencitë e kreditit pritet ta rrisin vlerësimin për Greqinë pasi procesi i shkëmbimit të obligacioneve të këtë përfunduar.

XS
SM
MD
LG