Lidhje

Greqia i drejtohet energjisë diellore për të shpëtuar ekonominë


Greqia i drejtohet energjisë diellore për të shpëtuar ekonominë
Greqia i drejtohet energjisë diellore për të shpëtuar ekonominë

Ndërkohë që Greqia është gjithnjë e më pranë mospagimit të borxhit të saj, një plan ambicioz i ri është hartuar për të nxitur rritjen ekonomike. “Projekti Helios” do të investojë miliarda euro në ndërtimin e fushave më të mëdha diellore të energjisë në botë anembanë Greqisë. Energjia elektrike do t’i shitet Evropës veriore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell ka përgatitur kronikën e tij në qytetin e Kozanit në Greqinë veriore.

Në këtë kohë trazirash, Greqia të paktën mund të mbështetet në një pasuri fitimprurëse: motin e mirë.

Grekët dhe gjermanët po e shohin gjithnjë e më shumë diellin si një potencial ekonomik.

Minierat e linjitit ose ‘qymyrit ngjyrë kafe’ pranë Kozanit në Greqinë veriore janë një nga vendet e propozuara për “Projektin Helios”.

Me emrin e zotit të lashtë grek të diellit, projekti do të mbulojë rreth 20 hektarë të minierave me panele diellore.

Lazaros Maloutas është kryetari i bashkisë së Kozanit. Ai thotë se nga Projekti Helios do të përfitojnë të gjithë.

“Ky është një rajon i rëndësishëm i energjisë, gjithmonë ka qenë qendra e burimeve energjetike në Greqi. Ne veçanërisht mirëpresim zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme. Ne gjithashtu mirëpresim investimet sepse efekti i masave të ashpra shtrënguese këtu ka qenë i madh.”

Gjatë vizitës në Greqi në fillim të këtij muaji, ministri gjerman i ekonomisë, Philipp Roesler, dha mbështetjen e tij për Projektin Helios.

Gjermania ka nevojë për energji alternative, pasi ka vendosur gradualisht të largohet nga energjia bërthamore pas krizës që përjetoi qyteti Fukushima në Japoni.

Deri në vitin 2020, Projekti Helios ka për qëllim të prodhojë 2,2 gigavat energji elektrike - një rritje njëqind herë më e lartë se sa nivelet aktuale të prodhimit të energjisë elektrike.

Nga kjo sasi energjie, eksporti drejt Gjermanisë mund të arrijë deri në 15 mijë megavat.
Duke marrë parasysh koston e lartë që është vlerësuar se mund të arrijë në 28 miliardë dollarë për ndërtimin e këtij projekti, investimet e huaja janë jetike për projektin.

Aristomenis Syngros është kryetari ekzekutiv i agjencisë qeveritare “Investoni në Greqi,” e cila është e ngarkuar për tërheqjen e investimeve të huaja.

“Ne kemi nevojë për investime të reja, kemi nevojë për burime të reja të ardhurash. Ka dy mënyra për të eliminuar borxhin. Njëra është shitja ose minimizimi i borxhit dhe mënyra tjetër është rritja maksimale e prodhimit të përgjithshëm bruto. Sa më i madh të jetë ky prodhim aq më i vogël do të jetë borxhi. Sigurisht e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza janë investimet.”

Kritikët vënë në dukje se Greqia renditet e 109-ta në indeksin e Bankës Botërore për “lehtësinë e të bërit biznes,”-nën vende si Etiopia, Papua Guinea dhe madje edhe Jemeni.
Bindja e sipërmarrësve për të investuar në sektorin e energjisë diellore në Greqi duket se do të jetë një detyrë e vështirë.

XS
SM
MD
LG