Lidhje

Greqia përballë dilemave


Greqia përballë dilemave
Greqia përballë dilemave

Vendimi i kryeministrit grek Xhorxh Papandreou për të kërkuar referendum mbi marrëveshjen evropiane për ndihmën financiare është pritur me pakënaqësi në Evropë dhe zyrtarët po përpiqen të kuptojnë motivet që e shtynë atë për të marrë një vendim të tillë. Ndërkohë, shumë grekë ndjejnë se sovraniteti i vendit po nënvlerësohet nga kërkesat ndërkombëtare për masa të rrepta ekonomike.

Greqia e lashtë njihet si vendlindja e demokracisë. Populli grek tani do të votojë për fatin e ekonomisë së tij çka ndoshta do të ndikojë edhe në fatin e krejt eurozonës.

Kryeministri Xhorxh Papandreu i habiti politikanët në Athinë dhe përtej saj, duke shpallur një referendum mbi paketën e re evropiane të ndihmave të caktuar për në janar. Po ashtu qeveria do të përballet me votëbesimin e parlamentit të premten.

“Kjo është forma më e lartë e demokracisë, është momenti më patriotik për qytetarët që të vendosin, ndaj le tu japim fjalën përfundimtare njerëzve dhe të lëmë ata të vendosin,” deklaroi zoti Papandreu të martën.

Gjatë muajve të fundit, një valë grevash dhe protestash kundër masave të rrepta ekonomike ka pushtuar qytetet greke. Paketa e re evropiane e ndihmës ekonomike kërkon shkurtime të mëtejshme të pagave në sektorin publik dhe në pensionet si dhe rritjen e taksave.

Anketat tregojnë se më shumë se gjysma e grekëve janë kundër, që do të thotë një votim negativ në referendum është krejtësisht i mundëshëm. Gazetari politik Kostas Raptis thotë se grekët gjithnjë e më shumë po kthehen kundër Bashkimit Evropian.

“Është një marrëdhënie e pabalancuar ekonomikisht dhe tani edhe në nivel politik. Çka nënkupton se kjo lloj disbalance tani po kalon edhe në fushën politike, ku ekonomitë e mëdha të eurozonës u diktojnë vendeve periferike se çfarë dhe si duhet të veprojnë.”

Kjo ka shtuar tensionet me Gjermaninë, e cila ka nxitur kërkesat e bllokut për masa më të rrepta ekonomike në Greqi.

Në një festë kombëtare në Greqi javën e kaluar që përkujton Luftën e Dytë Botërore, disa protestues valëvitën flamuj dhe hodhën parulla kundër Gjermanisë. Në demostrata të mëparshme, protestuesit kanë krijuar skena nga krimet naziste të luftës.

“Armiqësitë e Luftës së Dytë Botërore ende mbijetojnë të fshehura. Shumë grekë ankohen për dëmet e shkaktuara në vend gjatë luftës dhe nevojës për dëmshpërblime të duhura nga Gjermania.”

Në publik, udhëheqësit tregojnë shenja uniteti. Por referendumi duket se do t’i tendosë këto marrëdhënie. Joerg Rocholl është president i Shkollës Evropiane të Menaxhimit në Berlin.

“ Nëse shkon mirë, Papandreu ka mbështetjen e popullit grek. Nëse jo, kjo mund të çojë në një situatë ku Greqia nuk është më anëtare e eurozonës.”

Pas disa ditësh qetësie relative, Evropa është zhytur përsëri në pasiguri politike dhe ekonomike.

XS
SM
MD
LG