Lidhje

Kriza greke dhe sferat e influencës


Pas bisedimeve maratonë mes udhëheqësve evropianë dhe zyrtarëve grekë që u kurorëzuan me marrëveshjen e së hënës, shqetësimi kryesor ishte kriza ekonomike. Por ekspertët thonë se arritja e marrëveshjes kishte në themel të saj shqetësime të rëndësishme strategjike:

Udhëheqësit arritën të shmangin rrezikun e shkëputjes së një vendi nga Eurozona dhe më pas nga Bashkimi Evropian, që sipas ekspertëve do të kishin sjellë ndërlikime më të gjera:

“Kjo do të nënkuptonte që Bashkimi Evropian jo vetëm që s’është rruga e duhur për një bashkim monetar, por është edhe një projekt politik që nuk funksionon”.

Marrëveshja do të sjellë vështirësi të reja për Greqinë, por ekspertët thonë se dalja nga Eurozona do të kishte qenë edhe më e dëmshme, jo vetëm për grekët dhe Evropën, por edhe në spektrin gjeopolitik, nëse Greqia do të kishte rënë në krizë më të thellë dhe do të kishte trazira sociale.

“Çfarë do të ndodhë në Greqi dhe në orientimin e saj gjeopolitik, nëse pëson katastrofën e madhe që do të sjellë dalja nga Eurozona?”

Kryeministri i ri grek ka bërë hapa afrimi me Rusinë. Presidenti rus, siç njoftohet, është përpjekur ta bindë Greqinë t’i vërë veton zgjatjes së afatit të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë për shkak të Ukrainës.

Ministri i ri grek i mbrojtjes mori pjesë në një konferencë në Moskë me homologë nga Irani dhe Koreja e Veriut.

“Situata po shkakton panik në Evropë, për momentin më tepër të karakterit simbolik se sa në partneritetin strategjik,”shprehet analistja Sarah Lain.

Analistë si Sarah Lain, e cila foli përmes Skype-it, nënvizojnë se marrëveshja mund të ketë një efekt pozitiv afat-gjatë. Greqia, thotë ajo, nuk mund të mbështetet tek Rusia për të zgjidhur problemet ekonomike, apo tek Lindja për të ardhmen e saj.

“Rusia mund të jetë një partner i leverdisshëm tregtar, por nuk është modeli që duhet të ndjekë Greqia”.

Ekspertët thonë se këto shqetësime kanë bërë që fuqi perëndimore jashtë Eurozonës, si Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, të ngulmojnë për një zgjidhje për të mos lejuar që mospajtimet financiare të shndërrohen në një zhvendosje gjeopolitike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG