Lidhje

Greqia siguron paketën e re të ndihmave


Greqia siguron paketën e re të ndihmave

Greqia siguron paketën e re të ndihmave

Ministrat e financave të Eurozonës miratuan një paketë të re ndihmash me vlerë 171 miliardë dollarë për Greqinë, pas 13 orë negociatash të tensionuara në Bruksel. Marrëveshja do ta ndihmojë Greqinë të shmangë një katastrofë financiare, kur të maturohen muajin e ardhshëm bonot e thesarit:

Paketa e ndihmës do të pakësojë borxhin qeveritar të Greqisë nga 160 për qind e prodhimit të përgjithshëm të vendit në pak mbi 120 për qind brenda vitit 2020. Ky është niveli maksimal që konsiderohet i përballueshëm nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Marrëveshja u arrit sot, pasi kompanitë që i kanë ofruar kreditë Greqisë ranë dakord të pranojnë një humbje prej 53.5 për qind nga vlera nominale e bonove.

“Është një marrëveshje shumë e mirë dhe pikësëpari përshëndesim angazhimin e qeverisë greke për të marrë masat për rikthimin e rritjes dhe stabilitetit ekonomik. Po ashtu, mirëpresim angazhimin e vendeve të Eurozonës për të vazhduar ta përkrahin Greqinë të kthehet në rrugën e rritjes dhe të krijimit të vendeve të punës”.

Euroja shënoi rritje të ndjeshme sot, pas përhapjes së lajmit për marrëveshjen, e cila do ta ndihmojë Greqinë të shmangë një katastrofë financiare, kur të maturohen muajin e ardhshëm bonot e thesarit.

“Do të bëjmë atë që duhet, pra do të zbatojmë programin në mënyrë efektive dhe në kohë. Qeveria është e angazhuar ta bëjë një gjë të tillë dhe jam i bindur se edhe pas zgjedhjeve qeveria do të jetë e angazhuar për të zbatuar plotësisht programin brenda parametrave kohorë, pasi një gjë e tillë është në interes të popullit grek”.

Qeveria greke ka miratuar deri tani masa shtrënguese që përfshijnë ulje në masën 22 për qind të rrogës minimale, si dhe shkurtimin e 15 mijë vendeve pune në sektorin shtetëror.

Por vendet donatore e shohin me dyshim aftësinë e Greqisë për të zbatuar masa të tjera shtrënguese, në mënyrë që të arrijë t’u paguajë borxhet. Ata këmbëngulën që paketa e ndihmave të përfshijë një llogari të posaçme që veçon një pjesë të fondeve për të mbuluar këstet e interesit mbi borxhin masiv grek.

XS
SM
MD
LG