Lidhje

Greqia sinjalizon se mund të ketë nevojë për ndihmë të mëtejshme financiare


Greqia sinjalizon se mund të ketë nevojë për ndihmë të mëtejshme financiare
Greqia sinjalizon se mund të ketë nevojë për ndihmë të mëtejshme financiare

Pas miratimit të një plani për të vënë nën kontroll shpenzimet qeveritare, udhëheqësit evropianë janë përqendruar përsëri tek situata në Greqi. Megjithë negociatat që vazhdojnë prej disa javësh, Athina ende nuk ka finalizuar një marrëveshje me kredi-dhënësit privatë për të reduktuar borxhin masiv të vendit. Udhëheqësit evropianë po i bëjnë presion Greqisë të zbatojë masat shtrënguese dhe të ulë shpenzimet publike:

Kryeministri i Greqisë thotë se nuk e përjashton mundësinë që vendi i tij të ketë nevojë për më shumë ndihmë financiare, përveç paketës prej 130 miliardë eurosh dhe marrëveshjes së re me investitorët privatë për të reduktuar borxhin.

Kryeministri Lukas Papadhimos tha sot në mëngjes se është ende herët të thuhet nëse ka nevojë për fonde shtesë. Synimi, tha kryeministri, është të shmanget një alternativë e tillë.

Zoti Papadhimos, i cili i bëri komentet pas një takimi me udhëheqësit e BE në Bruksel, tha se ka ende çështje të pazgjidhura mbi marrëveshjen me bankat dhe fondet e investimeve:

“Aktualisht jemi në një udhëkryq. Duhet që të gjithë të jemi të bashkuar në mbështetje të qeverisë greke në mënyrë që ta nxjerrim vendin nga kjo situatë. Masat kanë shumë rëndësi në mënyrë që sakrificat që ka bërë deri tani populli grek të mos shkojnë kot”.

Kryeministri grek tha se inspektorët ndërkombëtarë po bënin presion për shkurtime dhe reforma të mëtejshme ekonomike.

Diskutimet vazhdojnë për të ristrukturuar borxhin masiv të Greqisë me investitorë privatë, por ekspertët thonë se Greqia duhet të marrë masa për të siguruar edhe ndihma të mëtejshme. Ndër këto masa përfshihen ulja e deficitit, rritja e aftësisë konkurruese përmes shkurtimeve në sektorin publik dhe shitja e një numri ndërmarrjesh shtetërore.

Partnerët e Greqisë në Eurozonë kanë shprehur irritim nga ritmet e ngadalta të zbatimit të reformave që Athina u zotua të ndërmerrte afro 2 vjet më parë.

XS
SM
MD
LG