Lidhje

Letra e Greqisë: gati të pranojmë shumicën e kushteve


Tsipras Merkel

Tsipras Merkel

Greqia e zhytur në borxhe po pranon kërkesat e kreditorëve për më shumë masa shtrënguese. Por udhëheqësit evropianë kanë përjashtuar negociata të mëtejshme me Athinën para referendumit të së djelës.

Kryeministri grek Alexis Tsipras u deklaroi kreditorëve ndërkombëtarë në një letër se Greqia është e gatshme të pranojë shumicën e kushteve të paketës së shpëtimit.

Por kancelarja gjermane Angela Merkel tha në parlament se do të presë zhvillimin e referendumit.

Udhëheqësja gjermane hodhi poshtë nocionin se kriza financiare greke do të çonte në shkatërrimin e eurozonës.

"Bota po na vëzhgon,” tha ajo. "Por e ardhmja e Evropës nuk është në rrezik. Ajo do të ishte në rrezik nëse ne harrojmë se cilët jemi dhe se çfarë na bën të fortë – një komunitet i bazuar në rregulla dhe në përgjegjshmëri,” tha kancelarja Merkel.

Letra e zotit Tsipras iu shpërnda sot mediave, pak orë përpara se ministrat evropianë të financave të mbanin një telekonferencë për të diskutuar një lutje të fundit të Greqisë për marrëveshje. Nga letra del se Greqia mund të jetë më e gatshme se sa kishte treguar më parë për t’u hapur rrugë kërkesave të kreditorëve.

Në takimin e tyre të sotëm, ministrat evropianë të financave pritej të shqyrtonin kërkesën e Greqisë për një paketë të minutës së fundit prej 32,4 miliard eurosh. Kjo do të ishte një përpjekje e fundit për ta mbajtur Greqinë në eurozonë, pasi dje ajo nuk mundi të realizojë një pagesë të rëndësishme kredie prej 1.8 miliard dollarësh për Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Ministrat e financave vendosën dje të mos e zgjatnin një program ndihme për Greqinë.

Ministri holandez i financave Jeroen Dijsselbloem tha dje se “do të ishte çmenduri një zgjatje e programit.”

Sot, mijra degë bankash në të gjithë Greqinë qëndruan të hapura për pensionistët që nuk kanë karta bankomatesh dhe kanë nevojë të tërheqin para.

XS
SM
MD
LG