Lidhje

Grevë urie e ish të dënuarve politikë


Zëvendës-ministrja e Mirëqenies Sociale tha se qeveria socialiste përgatiti një skemë sipas të cilës, grupi i parë që përfiton dëmshpërblime janë ish-të burgosurit politikë, që jetojnë ende

Një grup ish të përndjekurish politikë të regjimit komunist nisën sot një grevë urie duke kërkuar dënimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha dhe për ndarjen brenda dy vjetëve të dëmshpërblimeve për burgimin dhe internimin e tyre të padrejtë. Greva nisi në oborrin e Institutit për Integrimin e të Përndjekurve politikë dhe përpara sallës plenare të parlamentit.

Nismëtare e grevës u bë shoqata e ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë për integrim, e drejtuar nga Fatmir Hoxha. Ai thotë se nga grevistët kërkohet dëmshpërblimi brenda 2 viteve, status special për ata ish të dënuar politikë që janë gjallë, rikthimi në administratën shtetërore të ish të përndjekurve politikë të pushuar padrejtësisht, shtimin e dëmshpërblimit për të internuarit dhe dënimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha, dënimin e krimeve të komunizmit dhe nxjerrjen jashtë ligjit të partive komuniste.

Greva po mbështetet edhe nga shoqata të tjera antikomuniste të ish të burgosurve politikë. Ata shprehën shqetësimin, se përveç varfërisë dhe diskriminimit, protestat i nxiti edhe përpjekja e zyrtarëve socialistë për t'i bërë nderime diktatorit Enver Hoxha. Grevistët dhe politikanë nga Partia Demokratike u përplasën për disa minuta me policinë në përpjekje për të ngritur një tendë ku do të vendosej greva e urisë.

Ndërkaq zëvendës-ministrja e mirëqenies sociale Genta Sula tha se qeveria socialiste përgatiti një skemë sipas të cilës, grupi i parë që përfiton dëmshpërblime janë ish-të burgosurit që jetojnë ende dhe më pas trashëgimtarët e atyre që nuk jetojnë më. “Grupi parësor ka këtë radhë: së pari janë gratë-janë 127 gra ish të dënuara politie që janë gjallë sot, së dyti janë personat mbi 75 vjeç- janë mbi 1 mijë e 400 persona, së treti janë ata persona që sipas komisionit mjekësor kanë nevojë për mjekime të caktuara, së katërti janë ata ish të dënuar gjallë ose që kanë fëmijë të mitur për të rritur, dhe pastaj janë personat nën 75 vjeç, që do të marrin dëmshpërblimet. Ky grup parësor merr 70 për qind të fondeve, ndërsa 30 për qind e fondit e marrin grupi dytësor - trashëgimtarët e ish të dënuarve” - tha zonja Sula.

Zëvendës-ministrja Sula tha se qeveria e re gjeti mijëra dosje të ish të përndjekurve politikë të papërpunuara në ministrinë e finacave dhe atë të drejtësisë, dhe tani po përpiqet që të përshpejtojë procesin e dëmshpërblimeve të zvarritura jo për faj të saj. “Mesazhi im për gjithë ish të përndjekurit dhe familjet e tyre është ky: Nuk ka fond financiar që mund të dëmshpërblejë ndonjëherë atë tragjedi, atë vuajtje, atë mohim që kanë pësuar ata. Ato vuajtje nuk blihen me para. Shteti është i varfër, viti është i vështirë, megjithatë, qeveria vuri në dispozicion një fond, që nuk është më i vogël se vitet e tjera. Ky është një ndër fondet më të larta, që është ndarë ndonjëherë, përveç vitit elektoral, ndonëse ky është një vit me rritje ekonomike shumë të ulët. Ata që kanë vuajtur më shumë duhet të përfitojnë më shpejt. Mendoj që duhet pak durim. Synimi ynë është që brenda mandatit qeverisës të shlyhen të gjithë personat e kategorisë parësore. Kjo do të thotë që çdo vit ata do të marrin të paktën nga një këst” - tha zonja Sula.

Protestuesit pohuan se greva e urisë do të zgjasë pa afat, derisa të marrë një përgjigje për kërkesat, që nga shlyerja brenda dy vjetëve e dëmshpërblimeve e deri te dënimi i figurës së Enver Hoxhës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG