Lidhje

Rëndohet gjendja shëndetësore e grevistëve


Protesta e ish të përndjekurve politik. Ministri i Drejtësisë raporton në komisionin parlamentar të ligjeve. Socialistët: autoritetet të dialogojnë me grevistët

Në Shqipëri gjendja e ish të përndjekurve politik që prej 25 ditësh janë në grevë urie vazhdon e rëndohet. Mjekët thanë se ajo është përkeqësuar vecanërisht tre katër ditët e fundit. Ndërkaq në komisionin e ligjeve ministri i Drejtësisë i thirrur në seancë dëgjimore bëri një prezantim të procedurave dhe të situatës në trajtimin financiar të ish të përndjekurve. Socialistët thanë dhe një herë se autoritetet duhet të ulen e të dialogojnë me grevistet

25 ditë vetëm me lengje dhe të kaluara poshte tendave të mbuluara me qese plastike për t’i bërë ballë reshjeve të shumta të ditëve të fundit, e kanë vështirësuar gjendjen e 8 ish të përndjekurve të mbetur në grevën e urisë. Situata shëndetësore është rënduar vecanërisht tre katër ditë e fundit tha Besnik Lamce, një prej mjekëve të urgjencës që 24 orë qëndrojnë për të vëzhguar gjendjen e grevistëve: "Ka filluar tensioni te ulet, ka nisur fenomeni i uljes së lëngjeve dhe elektroliteve gjë që shoqërohet me uljen e pranisë së oksigjenti në gjak".

Grevistët kërkojnë një zgjidhje të problemit të kompensimit financiar. Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi tha se tani ka nisur edhe shpërndarja e këstit të dytë për të gjithë, pasi përfundoi dhënia e tij për ata që ishin mbi 65 vjec. Ministri Halimi ishte në një seancë dëgjimore në komisionin parlamentar të ligjeve: “Nga viti 2009, kur ka nisur disbursimi, janë shpërndarë 20 milion dollarë në 2009, 14 milion dollarë në 2010, 14 milion dollarë në 2011, dhe 17 milion dollarë në 2012 ku është parashikuar edhe kësti I dytë që po shpërndahet”, tha zoti Halimi.

Seanca me ministrin ishte kërkuar nga socialistët të cilët nuk bënë asnjë pyetje. Jashtë sallës deputeti Pandeli Majko deklaroi se "Opozita sot detyroi përfaqësuesit e qeverisë të flasin, përtej atyre që unë nuk do I konsideroja thejsht sharje, por që janë të nivelit sharlatan, për të fyer këtë shtresë e cila nuk po kërkon gjëra të pashkruara në ligj. Unë shpresoj që të ketë një ndryshim të sjelljes. Sic erdhi sot ministri i Drejtësisë, nesër përfaqësuesit e ministrisë së Drejtësisë, ministrisë së Financave të shkojnë të komunikojnë me përfaqësuesit e grevës së urisë. Nuk është opozita përfaqësuesja e tyre, pasi greva nuk bëhet në emër të opoztës”.

Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë sinjal se mund të ulen në bisedime me grevistët, të cilët sipas tyre janë hedhur në protestë me motive politike. Dje kryeministri Sali Berisha akuzoi rëndë disa prej drejtuesve të grevës së urisë. Ish të përndjekurit u shprehën të indinjuar nga qëndrimi i kryeministrit duke përsëritur edhe një herë se do të qëndrojnë në protestë derisa kërkesat e tyre të plotësohen

Trego komentet

XS
SM
MD
LG