Lidhje

Grevat në Greqi pengojnë lëvizjen e emigrantëve shqiptarë


Një grevë e fermerëve në Greqi që prej disa ditësh po mban të bllokuara për orë të tëra akse të rëndësishme rrugore ka cënuar edhe lëvizjen e shqiptarëve nga pikat kufitare për në thellësi të vendit. Problemet më të mëdha janë shfaqur në Pikën kufitare të Kapshticës në juglindje të Shqipërisë ku fermerët në anën greke kanë bllokuar rrugën drejt kësaj pike.

Shumë emigrantë shqiptarë kanë qëndruar ditët e fundit me orë të tëra në pritje në temperatura mjaft të ulta.Autoritetet shqiptare e kanë pasur të vështirë të paralajmërojnë bllokimin për shkak se greva e fermerëve grekë nuk kishte parashikuar bllokimin e akseve drejt Pikave doganore. Sipas njoftimeve nga Greqia qytetarët që kanë udhëtuar sot drejt Shqipërisë, janë gjendur në vështirësi lëvizjeje edhe në akse të tjera të Greqisë.

Fermerët grekë kanë bllokuar me mjetet e tyre të rënda akset rrugore në rrugën Janinë-Athinë, përfshirë edhe kanalin e Korinthit. Problemt e transportit pritet të shtohen pasi edhe Federata e Transportit të brendshëm detar njoftoi një grevë 48 orëshe.

Grevat e sindikatave në Greqi zhvillohen në shenjë proteste për ndryshimet që po përgatit qeveria greke në sistemin e tatimeve dhe të sigurimeve shoqërore.

XS
SM
MD
LG