Lidhje

Një grup familjarësh, bashkëvuajtësish të burgjeve dhe përkrahës të grevistëve qëndrojnë vazhdimisht në mjediset pranë grevës së urisë.

Greva e urisë e një grupi ish të burgosurish politikë të diktaturës komuniste po vazhdon sot në ditën e 20, ndërsa gjendja shëndetësore e tyre sa vjen e rëndohet. Masat policore rreth vendit të grevës janë shtuar pas dy përpjekjeve për vetëflijim me lëndë djegëse të kryetarit të grevës së urisë, Gjergj Ndreca dhe një tjetër ish të dënuari politik, Lirak Bejko.

Mjekët bënë të ditur se gjendja shëndetësore e Ndrecës është e rëndë, ndonëse jashtë rrezikut për jetën, ndërsa për Bejkon po merren masa që të përcillet në një spital të specializuar në Itali për shkak të plagëve më të rënda.



Policia ka rrethuar zonën ku po mbahet greva e urisë dhe kontrollon çdo person që viziton grevën së bashku me pakot që hyjnë e dalin nga çadra për të ndaluar futjen e materialeve të rrezikshme.

Një grup familjarësh, bashkëvuajtësish të burgjeve dhe përkrahës të grevistëve qëndrojnë vazhdimisht në mjediset pranë grevës së urisë, ku herë pas here mbërrijnë edhe protestues që kanë marrë pjesë në tubime të tjera, si ajo e sotmja para parlamentit.

Greva e urisë ka si kërkesë kryesore marrjen e dëmshpërblimit të rregullt sipas ligjit në fuqi, dhe pasuar kjo me një sërë kërkesash të tjera, që synojnë hapjen e një debati më të gjerë mbi formulën e llogaritjes së viteve të burgimit dhe të hetuesisë, si dhe për krijimin e këtyre dëmshpërblimeve mbi bazën e kodit penal.

Shumica e grevsitëve pohojnë se për burgimin e padrejtë politik gjatë diktaturës, për të cilin kanë marrë pafajsinë, kanë marrë vetëm një këst dëmshpërblimi 3 vjet më parë, nga 8 këste që duhet të marrin gjithsej, me afro 18 dollarë për çdo ditë burgimi.

Përfaqësues të qeverisë pohojnë se ligji po zbatohet rregullisht, sepse kësti i parë u shpërnda sipas renditjes alfabetike, ndërsa kësti i dytë po shpërndahet sipas renditjes së moshës, në mënyrë që të favorizohen ish të burgosurit politikë mbi 65 vjeç. Në ministrinë e drejtësisë janë depozituar rreth 23 mijë kërkesa për dëmshpërblime, nga të cilat gjysmat i kanë kaluar ministrisë së financave, dhe pjesa tjetër po rregullojnë magësitë në dokumenta.

Por, komunikimi mes palëve grevistë dhe qevri është vështirësuar për shkak të deklaratave dhe etiketimeve të ashpra që kanë hedhur ndaj njëri-tjetrit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG