Lidhje

Grevë urie për reformën e emigracionit

  • Cindy Saine

Një grup aktivistësh po bën një grevë urie në Uashington për më shumë se dy javë, si mënyrë presioni ndaj Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner për të lejuar një votim për reformë gjithëpërfshirëse emigracioni. Një ligj historik për emigracionin u miratua në senat me një shumicë të konsiderueshme. Por udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve thonë se nuk ka gjasa që paketa të shqyrtohet këtë vit. Greva e urisë ka tërhequr vëmendjen e disa anëtarëve të Kongresit dhe Presidentit Obama.

Disa anëtarë të Grupit të anëtarëve hispanikë të Kongresit vizituan grevistët për të shprehur solidaritetin e tyre.

Cristian Avila nga Arizona tha se kishte hyrë në grevë sepse jeton me frikë se familja e tij mund të ndahet nga deportimi.

“Për fat të mirë unë, vëllai dhe motra ime nuk rrezikohemi por prindërit e mi janë ende pa dokumenta. Prandaj çdo ditë që kalon, unë kam frikë nëse do t’i shoh përsëri prindërit apo a do të kapen dhe deportohen”.

Demokrati Ruben Hinojoza që kryeson Kaukusin Hispanik të Kongresit do që shumica republikane në Dhomën e Përfaqësuesve të veprojë.

“Ka pasur shumë diskutime lidhur me faktin që nuk ka kohë në kalendarin legjislativ për reformën e emigracionit, por nuk është e vërtetë. Dhoma e Përfaqësuesve ka forcën që ta sjellë çështjen në seancë dhe të lejojë 435 anëtarët e Kongresit që të votojnë për të”.

Anëtari demokratik i Kongresit Luis Gutierrez kritikoi ashpër kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner.

“Ai mund të diktojë axhendën e Dhomës së Përfaqësuesve por ne diktojmë lëvizjet e kësaj lufte. Dhe ne nuk do të ndalemi”.

Duke folur në San Francisco, Presidenti Obama tha se reforma e imigracionit është e vonuar. Ai shprehu mbështetjen për anëtarët e grevës së urisë.

“Unë shoh avokatë të guximshëm të kësaj çështjeje që kanë dy javë në grevë urie nën hijen e Kapitolit, duke sakrifikuar vetveten në një përpjekje për të bindur Kongresin të veprojë”.

Presidenti u ndërpre nga një emigrant koreano-jugor i cili tha nga salla se presidenti mund të ndalojë deportimin e të gjithë imigrantëve pa dokumenta në vend. Zoti Obama iu përgjigj se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se më parë duhet të veprojë Kongresi. Por kreu i Dhomës së Përfaqësuesve thotë se procesi kërkon kohë.

“Komisionet po vazhdojnë punën, ka disa diskutime që po mbahen, në përpjekje për të gjetur mënyrën sesi të ecet më mirë përpara për të zgjidhur këtë çështje shumë të rëndësishme”.

Ndërkaq, Cristian Avila po fillon të ndjejë pasojat e grevës së urisë.

“Në ditën e nëntë, po fillojmë të shohim pak nga pak efektet e grevës. Kur ecim apo rrimë në këmbë për një kohë të gjatë, e ndjejmë më shumë lodhjen”.

Avokatët e reformës së emigracionit thonë se nuk ka kohë për të humbur.

XS
SM
MD
LG