Lidhje

Bulqizë: Grevistët takohen me drejtorin e kompanisë ACR


Bulqizë: Grevistët takohen me drejtorin e kompanisë ACR
Bulqizë: Grevistët takohen me drejtorin e kompanisë ACR

Takimi midis përfaqësuesve të grevës së urisë dhe drejtorit ekzekutiv të kompanisë ACR u zhvillua sot për disa orë në Tiranë, por nuk u mbyll me ndonjë marrëveshje lidhur me kërkesat.

Takimi u zhvillua për afro 3 orë në restorantin Friends pranë ministrisë së punës në rrugën e Kavajës pa praninë e mediave dhe pa praninë e kryetarit të Konfederatës Sindikale të Shqipërisë. Ishte vetëm drejtori dhe një përfaqësi prej 6 punëtorësh sindikalistë.

“Takimi shënoi një përparim shumë të mirë dhe zhvilluam diskutime shumë të mira. Ishte një takim i mirë - u tha mediave pas takimit drejtori ekzekutiv i kompanisë ACR, Giga Bedineishvili. - Mendoj se në këtë pikë nuk ka nevojë për ndërmjetësues. Ne dhe punëtorët jemi përfshirë në një dialog shumë të mirë dhe shpresojmë se do të arrijmë një zgjidhje shumë shpejt” - tha zoti Bedineishvili.

Ndërsa minatorët thanë pas takimit se i parashtruan drejtorit ekzekutiv të ACR kërkesat e grevës së tyre dhe ai u premtoi se do t’u kthente përgjigje shpejt sapo t’i diskutonte ato me bordin drejtues të kompanisë. Sindikalisti Kujtim Bushi tha se “drejtori i ACR dëgjoi gjatë dhe mori shënim kërkesat, diskutoi me përfaqësuesit e punëtorëve, por asgjë nuk është zgjidhur dhe ne jemi në po atë gjendje. Nuk kam se çfarë të deklaroj se ai tha që do të na kthejë përgjigje më vonë pasi të flaës edhe me bordin. Mbetemi në pritje të përgjigjes së tyre”.

Sindikalistët pohuan se do ta vazhdojnë grevën e urisë në galeritë e minierës së kromit në Bulqizë, derisa të ketë takim tjetër me drejtuesit e kompanisë dhe një përgjigje të pranueshme për kërkesat e grevistëve.

Ata po mbyllin sot ditën e 19 të grevës së urisë, duke kërkuar rritje pagash 20-40 për qind, kushte më të mira pune dhe sigurie në minierë, si dhe investimet e premtuara për modernizimin e saj. Jozyrtarisht mësohet se ata do të zëvendësojnë 3 grevistë që janë në gjendje të rëndë shëndetësore me 3 punëtorë të tjerë, dhe shumë të tjerë shprehën gadishmërinë që të përfshihen në grevë në faza të ndryshme. Miniera e kromit në Bulqizë ka 700 punëtorë dhe ata së bashku me familjarët, krahas grevës po zhvillojnë tubime të përditshme proteste.

XS
SM
MD
LG