Lidhje

Gruaja në Kosovë, ende e pabarabartë

  • Leonat Shehu

Gruaja në Kosovë, ende e pabarabartë

Gruaja në Kosovë, ende e pabarabartë

Shkalla e ulët e punësimit të grave, vështirësitë për qasje në shërbimet shëndetësore, shkalla e ulët e integrimit në ekonomi, si dhe numri i vogël i grave në pozita udhëheqëse në administratën publike, vlerësohen të jenë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në pozitën jo të mirë të gruas në Kosovë. Osnat Lubrani nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë thotë se pjesëmarrja jo e barabartë e femrave në arsim, politikë dhe fusha të tjera ushtron ndikim të madh në gjendjen e përgjithshme të grave. Ajo merr si shembull përfshirjen e grave në shkallët e ndryshme të pushtetit.

“Kosova e ka një presidente dhe disa ministre të fuqishme por kur flitet për shkallët më ulta të pushtetit gratë janë të papërfaqësuara dhe nuk kemi madje as një kryetare komune në tërë Kosovën”, thotë zonja Lubrani.

Për shefen e grupit të grave parlamentare, Teuta Sahatçiu, pabarazia është shprehur edhe në fushën e ekonomike dhe statistikat flasin për përfaqësim të vogël të gruas.

“Nuk është lajm i mirë, kur lexohen numrat dhe ato numra tregojnë që gruaja ka një përfaqësim bukur të vogël, si në përfshirjen dhe ndikimin e saj në zhvillimin ekonomik të Kosovës, ku thuhet se 92 për qind të pronave janë në pronësi të burrave, ku shumica e bizneseve janë në pronësi të burrave dhe përqindja e papunësisë kur vjen te gratë është shumë më e madhe se papunësia e burrave. Kjo tregon se në aspektin ekonomik gruaja me të vërtetë nuk është e përfshirë ashtu si duhet në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, thotë ajo.

Zonja Sahatçiu thotë se infrastruktura ligjore është e bollshme por zbatimi i saj mbetet problemi kryesor.

“Kosova ka një Kushtetutë shumë moderne, ka ligje të cilat nuk diskriminojnë përkundrazi janë ligje afirmative, por kur vjen te implementimi i ligjit aty kemi një ngecje shumë të madhe. Ka shumë aspekte të cilat ndikojnë deri te kjo, por mendojë që secili grup parlamentar dhe institucion duhet të bëjë pjesën e vet të punës për ta përmisuar gjendjen”, thotë zonja Sahatçiu.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Vuniqi thotë se viteve të fundit vërehet përparim në përfshirjen e grave në proceset e rëndësishme politike.

“Gratë e kanë vendim në pozitat vendimmarrëse. Gratë kanë munguar në procesin e ndërtimit të paqes në vitet e shkuara, sidomos në pjesëmarrje në negociata. Tani me një grua në krye të bisedimeve me Serbinë mendoj se është një hap drejt përmisimit të pjesëmarrjes së grave në procese të rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova. Për sa i përket pjesëmarrjes së gruas në politikë kemi përmisim të kufizuar, këtë e thotë edhe raporti i progresit të Komisionit Evropian kur është fjala për fushën e të drejtave të grave në përgjithësi dhe pjesëmarrjes së saj në vendimmarrje”, thotë zonja Vuniqi.

Zonja Lubrani thotë se gjendja më e vështirë është tek komunitetet pakicë siç janë komunitet rome, ashkali dhe egjiptas. Gjendja e rëndë përfshinë të gjitha fushat e jetës thotë ajo.

“Këto janë komunitete që pësojnë edhe nga diskriminimi. Është me shumë rëndësi që Kosova e cila përpiqet të bëhet një vend i përparuar synon po ashtu të jetë një shoqëri që respekton standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të sigurojë mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj. Prandaj është me rëndësi një përqendrim më i fuqishëm për përmbushjen e këtyre synimeve”, thotë zonja Lubrani.

Raportet e herëpashershme të organizatave vendase e ndërkombëtare vënë në pah pozitën e vështirë dhe jo të barabartë të grave në Kosovë, por ka pak raporte që flasin për ndonjë ndryshim pozitiv.

XS
SM
MD
LG