Lidhje

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën mbështet përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur


Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën mbështet përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën mbështet përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur

Grupi Drejtues Ndërkombëtarë për Kosovën, shprehu sot gatishmërinë që deri në fund të këtij viti, të përmbyllet mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Ky grup që përbëhet nga 25 vende që e kanë njohur Kosovën, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, u mblodh sot në Vjenë për të shqyrtuar shkallën e përmbushjes së planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Pas takimit shefi i zyrës Civile Ndërkombëtare Pieter Faith, tha se përmbyllja e mbikëqyrjes do të bëhet në bazë të një strategjie të veçantë që do të zhvillohet në dy binarë. Njëri ka të bëjë me përmbushjen e planit të presidentit Ahtisaari, tha zoti Faith, duke prezantuar përfundimet e Grupit Drejtues i cili kërkon nga institucionet e Kosovës që t’i zbatojnë masat për t’i fuqizuar parimet e planit, siç janë decentralizimi, të drejtat e komuniteteve, trashëgimia kulturore etj. Pjesa e dytë e strategjisë nënkupton një pako ndryshimesh në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës të nevojshme për përfundimin e mandatit të zyrës civile ndërkombëtare dhe të pavarësisë së mbikëqyrur.

Grupi Drejtues Ndërkombëtarë u bëri thirrje vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë, ndërsa shprehu përkushtimin ndaj tërësisë tokësore të Kosovës në kuadër të kufijve të saj ekzistues. Sipas tij, parimet e të planit Ahtisaari ofrojnë modelin më të mirë për të ardhmen e komunave veriore të Kosovës. Grupi nxit Serbinë që të veprojë në përputhje me zotimet e saj ndërkombëtare dhe të përmbahet nga ndërhyrja në Kosovë, përfshirë këtu tërheqjen e pranisë së saj policore, të sigurisë dhe pranive të tjera shtetërore, si dhe të mbështesë përpjekjet e aktorëve ndërkombëtarë dhe institucioneve të Kosovës për vendosjen e sundimit të ligjit. Ai i bën thirrje Serbisë që të sigurojë që zgjedhjet e saj lokale të mos shtrihen në veri të Kosovës.

Shefi i zyrës civile ndërkombëtare Pieter Faith tha se përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur do ta bënte Kosovën një shtet evropian. “Ne kemi ndihmuar ngritjen e institucioneve dhe tash nga fundi i këtij viti Kosova do të jetë si çdo shtet tjetër evropian dhe do të mbështetet në ecjen e saj përpara si pjesë e një projekti më të gjerë evropian”, tha zoti Faith.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha ndërkaq se qeveria e tij do të zbatojë në tërësi planin e zotit Ahtisaari. “Ne do ta përmbyllim pavarësinë e mbikëqyrur, por do të vazhdojmë të kemi mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian në procesin e reformave evropiane integruese. Tash do të jemi më afër BE-së. Kosova si shteti më i ri evropian do të ketë përgjegjësi të reja në perspektivën evropiane. Presim më shumë njohje, të punojmë së bashku në perspektivën evropiane dhe një perspektivë integruese të rajonit në BE, duke respektuar fillimisht fqinjësinë e mirë të secilit shtet me secilin. Por para së gjithash, përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur nënkupton se Kosova ka pasur sukses të plotë në këto katër vite të pavarësisë, dhe tani hapet kapitull i ri, kapitull i Kosovës Evropiane”, tha kryeministri Thaçi.”

Grupi Drejtues i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’u shtrijë dorën qytetarëve të saj serbë, në veçanti atyre në komunat veriore dhe të dëshmojë se kupton dhe i respekton të drejtat e tyre, brengat e tyre, gjuhën dhe identitetin e tyre. Grupi e përgëzon Kosovën për angazhimet e saj në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si dhe inkurajon Serbinë dhe Kosovën që të vazhdojnë - si fqinjë të pavarur dhe sovranë – të kërkojnë marrëveshje për çështjet praktike për qytetarët e tyre dhe që t’i zbatojnë marrëveshjet me shpejtësi.

Grupi Drejtues nuk ka përcaktuar ndonjë datë të saktë se kur mund të përmbyllet ky proces, por përfaqësuesi civil ndërkombëtare Pieter Faith tha se qëllimi është që të përfundojë punën deri në fund të vitit dhe për këtë madje janë bërë edhe përgatitjet financiare. Mirëpo, fati i kësaj zyreje nuk lidhet me veriun e Kosovës meqë siç tha zoti Faith, për veriun mund të ketë zhvillime tjera që ndërlidhen me dialogun Kosovë – Serbi. Ai tha se nuk mund të ketë garanci që brenda kësaj kohe të zbatohet plani i zotit Ahtisari në veri, ku serbët lokalë, tash e një gjysme viti po mbajnë të bllokuara të gjitha rrugët në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës edhe në atë zonë.

Kosova shpalli pavarësinë ne shkurt të vitit 2008 ndërsa një numër shtetesh që e kanë njohur atë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian themeluan grupin drejtues ndërkombëtarë për Kosovën dhe vunë Pieter Faith në postin e mbikëqyrësit të pavarësisë.

Por, pavarësia e Kosovës vazhdon të kundërshtohet ashpër nga Serbia, me të cilën Kosova, është duke zhvilluar një seri bisedimesh të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Gjatë ditëve në vijim pritet që ndërmjetësuesi evropian Robert Cooper të qëndrojë në Beograd dhe në Prishtinë për të caktuar datën e takimit të ri të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë. Diplomatët perëndimorë i kanë inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin që të vazhdojnë sa më parë bisedimet. Diplomatët thanë se Serbia duhet të zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tash me Kosovën dhe të jetë konstruktive në gjetjen e zgjidhjes për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale dhe ndërkombëtare. Ajo duhet të përmbushë këto kushte para se Bashkimi Evropian të diskutojë në fund të muajit shkurt për mundësinë që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Serbia dështoi të marrë këtë status për shkak të zhvillimeve në veriun e Kosovës ku përfaqësuesit e serbëve kanë paralajmëruar për 14 dhe 15 shkurt një referendum në të cilin qytetarët e atjeshëm do të deklaroheshin nëse duan apo jo të pranojnë institucionet e Prishtinës. Ky referendum i cili cilësohet i paligjshëm e i pavlefshëm nga Prishtina, është kundërshtuar edhe nga presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, të dërguarit e të cilit edhe sot dështuan në përpjekjet për të bindur përfaqësuesit e serbëve që të heqin dorë nga ky referendum.

XS
SM
MD
LG