Lidhje

Grupi i refugjatëve somalezë “11 Brothers” dhe muzika e tyre


Grupi i refugjatëve somalezë “11 Brothers” dhe muzika e tyre
Grupi i refugjatëve somalezë “11 Brothers” dhe muzika e tyre

Një grup somalezësh të cilët kanë ikur nga vendi i tyre janë mbledhur për të krijuar një grup të muzikës hip-hop dhe bluz në Afrikën e Jugut. Por edhe në vendin e tyre të ri, ku jetojnë si refugjatë, ata ndeshen me kërcënime për jetën.

Ata e quajnë veten “11 vëllezërit”. Brenda një apartamenti të vogël, ata bëjnë prova me karaoke.

Stili i tyre është kombinimi i këngëve tradicionale me tekstet e tyre. Një mik nga Shtetet e Bashkuara nganjëherë u dërgon atyre versione melodish që ata të krijojnë këngët e tyre hip-hop.

Kënga që quhet The Motherland – Atdheu - u bë shumë popullore në Somali. Udhëheqësi i grupit, Abdoul Kadir, i cili u largua në këmbë nga Somalia disa vite më parë, përpiqet ta mbaj të pastër apartamentin e tyre. Ja si i shpjegon ai motivet e grupit:

“Mesazhi i këngëve tona është kryesisht dashuria, paqja dhe problemet në vendin tonë Somali. Ne kritikojmë ekstremistët të cilët po e bëjnë Somalinë më keq se ç’ishte”.

Popullariteti i këngës bëri që anëtarët e grupit të merrnin e-maile dhe telefonata kërcënuese. Ata thonë se megjithëse janë larguar nga Somalia, ende ndihen të pasigurt. Kërcënimet nuk vijnë vetëm nga Somalia, por edhe nga gangsterët e Afrikës së Jugut, të cilët kanë vënë në shënjestër sponsorët e imigrantëve.

Në qershor, sponsorizuesi kryesor, i cili jeton në Afrikën e Jugut u qëllua në kokë për vdekje nga një hajdut i cili i grabiti paratë. Grupi 11 Brothers tani ka hapur një dyqan në një lagje më të sigurt të Pretorias. Ata i përdorin paratë nga shitja e artikujve ushqimorë për të mbështetur aktivitetet e tyre muzikore.

Grupi gjithashtu gjen kohë për të luajtur futboll në oborrin e tyre të rrethuar, aktivitet që i bashkoi dhe i dha emrin grupit në Somali. 25-vjeçari Hamza Mohammed, thotë se ai do të pranonte epitetin e refugjatit për sa kohë që mund të jetojë në siguri.

“Duhet ta pranosh sepse je pa vend, pa qeveri. Duhet ta pranosh statusin e refugjatit. Ne nuk e hedhim poshtë faktin që jemi refugjatë. Ne do të ishim të lumtur si refugjatë në qoftë se mund të jetojmë të sigurt dhe të kemi një jetë më të mirë”. - thotë ai

Futbolli është bërë aktivitet i dytë i tyre. Kur loja ndalon ata i vihen punës përsëri. Pjestarët e grupit 11 Brothers thonë se ata po përpiqen të mbijetojnë në Afrikën e Jugut, duke u ruajtur sa të munden me shpresën se një ditë do të jenë në gjendje të kthehen në një Somali paqësore me kursimet e tyre dhe disa hite të tjera muzikore.

XS
SM
MD
LG