Lidhje

Gu Kailai merr dënimin me vdekje, por me kusht


Një gjykatë kineze dënoi me vdekje, por me dy vjet kusht, bashkëshorten e ish-funksionarit komunist Bo Xilai për vrasjen e një biznesmeni britanik.

Gjykata Popullore në qytetin Hefei dënoi me vdekje Gu Kailai, pasi ajo pranoi më 9 gusht se kishte helmuar Neil Heywood pas një mosmarrëveshje biznesi.

"Përfundimi i procesit gjyqësor tregon se Bo Gu Kailai është përgjegjëse penalisht, por vuan nga çrregullime mendore. Ajo kishte aftësi të plotë për të kuptuar natyrën dhe pasojat e krimit që ka kryer, por aftësia e saj për të kontrolluar veten ishte e dobët. Pasi u soll para drejtësisë, Bo Gu Kailai u dha autoriteteve informacione për aktivite të paligjshme të njerëzve të tjerë dhe ka luajtur një rol pozitiv në hetimin e rasteve të ngjashme. Në gjykatë, Bo Gu Kailai pranoi dhe shprehu keqardhje për krimin që kreu. Prandaj, gjykata e dënoi Bo Gu Kailai me vdekje por pa një ekzekutim të menjëhershëm”.

Kushtëzimi i dënimit do të thotë se dënimi me vdekje mund të kthehet në burgim të përjetshëm, nëse ajo nuk kryen vepra penale në dy vitet e ardhshme.

Gu pranoi se tundoi biznesmenin Heywood të shkonte në një hotel në qytetin Chongqing nëntorin e kaluar, duke e dehur dhe helmuar.

Një punonjës i familjes që ndihmoi në vrasje u dënua me 9 vjet burg.
Në një seancë të veçantë, katër policët e akuzuar për mbulimin e krimit janë dënuar me nga pesë deri në 11 vjet burg.

Bashkëshorti i zonjës Gu, Bo Xilai, ishte një personalitet në rritje në Partinë Komuniste, por u hoq si kryetar i partisë në Chongqing pas këtij skandali.
XS
SM
MD
LG