Lidhje

Guangzhou fillon publikimin e pasurive të zyrtarëve


Ndërkohë që udhëheqësit e Partisë Komuniste të Kinës po shtojnë përpjekjet kundër korrupsionit, një distrikt me zhvillim të shpejtë ekonomik i qytetit të madh jugor Guangzhou po udhëheq në luftën kundër këtij fenomeni. Zyrtarët në një pjesë të kryeqytetit të provincës Guangdong së shpejti do të duhet të publikojnë një numër të madh të dhënash financiare si pagat, numrin e makinave, shtëpive dhe udhëtimet e tyre jashtë vendit. Kjo po forcon thirrjet për më shumë transparencë nga udhëheqësit e lartë të Kinës.

Guangzhou tashmë tërheq vëmendjen me distriktin e tij financiar në rritje, qasjen e drejtpërdrejt në rrugët tregtare detare, një ndërtesë të bukur opere si dhe një rrokaqiell 600 metra të lartë.

Por përveç këtyre gjërave të veçanta të qytetit, kinezët gjithnjë e më shumë po kërkojnë që qyteti të trajtojë problemin e korrupsionit në nivel zyrtar.

Publikimi i pasurive është një hap në drejtimin e duhur për shumicën e qytetarëve kinezë.

Tri zona në Guangdong janë në listë për zbatimin e politikës së re, njëra prej tyre është Nansha, një zonë e re dhe e posaçme ekonomike në Guangzhou City.

Profesori i fushës së qeverisjes, Ni Xing thotë se programi për publikimin e pasurive në Nansha ka në shënjestër zyrtarët e lartë të distriktit.

“Asetet përfshijnë pagat, kursimet dhe investimet. Por përveç kësaj, ka edhe disa elemente të tjera të rëndësishme që duhet publikuar nga zyrtarët e lartë në Nansha përfshirë statusin martesor, udhëtimet, profesionin e bashkëshortes dhe të fëmijëve dhe aksionet në tregun e bursave që ata zotërojnë”.

Me një madhësi prej më shumë se 800 kilometrash katror, Nansha vitin e kaluar u emërua zonë e veçantë ekonomike. Vetë distrikti Nansha është duke u shndërruar në një qytet të madh që Guangzhou shpreson se do ta bëjë atë më konkurrues në fushën ekonomike.

Ni Xing thotë zbulimi i pasurive nuk ka të bëjë vetëm me luftën kundër korrupsionit dhe parandalimin e marrjes së ryshfetit.

“Besoj se një nga arsyet e zbatimit të kësaj politike gjatë riorganizimit të udhëheqjes është se qeverisja e pastër është një mënyrë e rëndësishme e rritjes së konkurrencës në një zonë ekonomike”.

Por ndërkohë që qeveria ka nisur një program provë në nivel të vogël në jug të vendit, të tjerët po bëjnë thirrje që programi të zgjerohet më shumë.

Sun Hanhui është anëtar i një lëvizjeje aktiviste në Kinë që kërkon publikimin e pasurive të 200 zyrtarëve të lartë të qeverisë qendrore.

“Publikimi i pasurive është një qasje sistematike që ka për synim parandalimin e korrupsionit. Ky është një model ndërkombëtar që ka filluar në Suedi më shumë se 200 vjet më parë dhe është përdorur në Angli dhe në Shtetet e Bashkuara. Por për të qënë i efektshëm, modeli duhet të fillojë të zbatohet nga lart”.

Është ende e paqartë se sa do të zgjerohet ky program pilot nga udhëheqja e e Kinës. Megjithëse, disa zyrtarë kanë shprehur mbështetjen e tyre për këtë politikë, të tjerët argumentojnë se kjo është një shkelje e privatësisë së tyre.

XS
SM
MD
LG