Lidhje

Paqartësitë ligjore dhe të burgosurit në Guantanamo


Kanë kaluar më shumë se 12 vjet, që kur administrata e presidentit George W. Bush ri-hapi dyert e qendrës së paraburgimit në Gjirin e Guantanamos në Kubë. Gati 800 të burgosur janë vendosur atje që nga fillimi i luftës globale kundër terrorizmit. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se arrestimet janë të paligjshme, por qeveria amerikane thotë se ato janë të nevojshme, megjithë premtimet e presidentit Obama për mbylljen e burgut.

Gjithshka filloi në vitin 2002, katër muaj pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, që çuan në luftën kundër terrorizmit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Të arrestuarit ishin të gjithë myslimanë, disa prej tyre vetëm 18 vjeç. Nga të 149 personat që ende janë në burg, 38 janë klasifikuar si "të ndaluar për një kohë të pacaktuar".
Nicholas Rostow është një ish-këshilltar i lartë i qeverisë amerikane i cili ka shërbyer si ndihmës i posaçëm i presidentëve Ronald Reagan dhe George HW Bush.

"Nga pikëpamja e administratës së mëparshme, të burgosurit në Guantanamo nuk ishin luftëtarë në bazë të Konventave të Gjenevës, dhe për këtë arsye pas kapjes ata nuk mund të gëzonin statusin e të burgosurit të luftës ".

Më 1949, Konventat e Gjenevës krijuan rregullat e luftës, duke i dhënë të drejta ushtarëve nga vendet nënshkruese, të cilët kapen në fushën e betejës.

Cully Stimson është analist i çështjeve ligjore në Fondacionin Heritage.

"U vendos që në fillim, se në qoftë se kapim të burgosur, do të duhej të vendosnim se cili do të ishte statusi i tyre ligjor. Vetëm nëse ishe vend që ka nënshkruar dhe ratifikuar Konventat e Gjenevës mund të kishe mbrojtje të plotë në bazë të Konventave të Gjenevës".

Shtetet e Bashkuara i trajtojnë këta të arrestuar si rob lufte, në kuptimin që ata do të kthehen në vendin e tyre kur të përfundojë lufta kundër terrorizmit. Fundi i luftës kundër terrorizmit nuk është i afërt.

"Është më mirë se sa alternativa tjetër. Ne kemi vendosur se është më mirë të kapim dikë dhe ta trajtojmë në mënyrë njerëzore, se sa ta vrasim. Privimi i plotë i një njeriu nga liria është vrasja e tij, ndërsa heqja e aftësisë së tij për të luftuar është një shqetësim i vogël në krahasim me vdekjen".

Dhe në këtë pikë gjërat u ndërlikuan thotë zoti Stimson.

"Faktori i komplikuar ishte se talebanët ishin partia që kishte pushtetin në Afganistan në kohën kur ndodhën sulmet e 11 shtatorit. Vetëm tre vende kishin njohur talebanët si parti me pushtet legjitim në Afganistan. Natyrisht, ne nuk ishim një nga këto tre vende".

Ndërsa qeveria amerikane ka në plan të mbajë disa të burgosur të Guantanamos për një kohë të pacaktuar, për të burgosurit e tjerë mundësitë janë të kufizuara.

"Këta nuk janë njerëzit më të këndshëm, prandaj do të jetë e vështirë të gjenden vende të cilat do t’i marrin ata. Disa prej tyre janë në pritje të gjykimit, apo duhet të gjykohen nga gjykatat ushtarake, apo civile".

Presidenti Obama gjashtë vjet më parë tha se do të mbyllte burgun e Guantanamos. Ai ende nuk e ka realizuar këtë premtim, dhe duke marrë parasysh shkëmbimin më të fundit të ushtarit amerikan me talebanët, është bërë edhe më e vështirë të parashikohet data e mbylljes së burgut në Guantanamo.
XS
SM
MD
LG