Lidhje

Risistemim për të burgosur të Guantanamos


Zyrtarë të ushtrisë amerikane kanë njoftuar Kongresin se kanë në plan të largojnë disa të burgosur nga baza e Guantanamos në Kubë. Sipas zyrtarëve, që pranuan të flasin me shtypin me kusht që të mos identifikohen, të paktën dy vende kanë rënë dakort për të pranuar të burgosurit.

Një prej atyre që do të transferohet është Tariq Ba Odah, shtetas jemenas, 37 vjeçar, i cili ushqehet me forcë që nga viti 2007 kur filloi një grevë urie dhe ka humbur rreth gjysmën e peshës. Ai tani peshon vetëm 33 kg.

Në bazën e Guantanamos ka ende rreth 91 të burgosur. Ajo u hap nga ish Presidenti George Bush për të mbajtur të dyshuarit si terroristë që kapeshin gjatë luftës në Afganistan e Irak. Rreth 37 prej të burgosurve janë miratuar për t’u dërguar në vende të tjera.

Risistemimi i kontigjentit të parë pritet të ndodhë gjatë ditëve në vazhdim dhe të vazhdojë për disa javë. Baza e Guantanamos është kritikuar si një rast i shkeljes së të drejtave të njeriut për mbajtjen e të burgosurve pa afat dhe pa iu bërë gjyqi. Presidenti Obama u zotua para 8 vjetësh, kur erdhi në detyrë, që ta mbyllte atë, por Kongresi i ka kundërshtuar përpjekjet e tij.

XS
SM
MD
LG