Lidhje

Fillim i vështirë i seancave në Guantanamo

  • Luis Ramirez

Mbi 12 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit, nuk është caktuar ende një datë gjyqi për pesë të dyshuarit

Mbi 12 vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, nuk është caktuar ende një datë gjyqi për personin që akuzohet si organizatori dhe katër të pandehur të tjerë. Mocionet e seancave paraprake në bazën detare amerikane në Gjirin Guantanamo në Kubë, po tregojnë sesa i vështirë dhe i ndërlikuar është ky rast.

Dhjetë vjet në burg dhe ende nuk dihet se kur do të mbahet gjyqi.

Rasti i Khalid Sheikh Mohammedit dhe katër bashkëpunëtorëve të tjerë për 11 shtatorin mbetet i ndërlikuar në mocione ligjore të cilat duan muaj të zgjidhen, para se të krijohen kushtet për mbajtjen e gjyqit.

Seancat e fundit janë përqendruar tek tortura dhe kushtet në të cilat janë mbajtur të akuzuarit që nga arrestimi.

James Connell është avokat i njërit prej të dyshuarve.

“Në sistemin amerikan, një gjyq ka si objektiv zbulimin e së vërtetës. Seancat me mocione do të fillojnë të bëjnë hapat e para drejt gjetjes së të vërtetës për torturimin e këtyre personave”.

Ajo që diskutohej në këto seanca ishin kërkesat e avokatëve mbrojtës që të qëndronin për 48 orë në qendrën e ndalimit ku mbahen të burgosurit. Pyetjet se kush e ka autoritetin për të censuruar këto seanca u ngritën kur dikush ndërpreu zërin për tre minuta pa miratimin e gjykatësit.

Pesë të dyshuarit vendosën të mos merrnin pjesë në një seancë, një ditë pas një reagimi të fortë të njërit prej të dyshuarve që tha se nuk kishte besim tek avokatët e tij dhe nuk shihte asnjë arsye të kthehej në gjykatë.

Kujtimet e masakrës së asaj dite të vitit 2001 u rizgjuan ndërsa të afërmit e viktimave patën mundësi të shihnin pesë të akuzuarit. Mes të pranishmëve ishte Phyllis Rodriguez, i biri i së cilës Greg humbi hetën në sulmet e New York-ut.

Ajo kishte shkuar në Guantanamo që t’i shihte nga afër seancat por beson se ky rast duhet të gjykohet në një gjykatë federale civile në territor amerikan.

“Mendoj se do të kishte qenë shumë më e hapur në një gjykatë federale. Publiku do të kishte pasur qasje më të madhe. Media do të kishte pasur më shumë mundësi për ta mbuluar. Është rrugë e gjatë deri këtu, siguria është e lartë, prandaj ka vështirësi”.

Presidenti Obama u përpoq ta mbyllte qendrën e ndalimit në Guantanamo dhe t’i zhvendoste të burgosurit në Shtetet e Bashkuara për gjyqin, por më pas u miratua një ligj që e ndalonte një gjë të tillë.

Një gjykatë e posaçme ushtarake, e ngritur para shtatë vjetësh, po merr masat që gjyqi të jetë i drejtë dhe transparent.

Për ata që presin me padurim që drejtësia të vihet në vend, do të thotë më shumë pritje.

“Gjyqi mund të mos mbahet sa të jem unë gjallë. Mund të duhen vite të tëra. Por unë nuk e humbas durimin se nuk pres që përfundimi i këtij gjyqi të më japë qetësinë. Nuk do të ma ndryshojë jetën. Nuk do të ma rikthejë djalin, sido që të jetë vendimi. Nuk do të ma lehtësojë humbjen dhe dhimbjen. Prandaj unë nuk e humbas durimin. Ajo që besoj është se duhet bërë siç duhet”.

Që gjyqi të zhvillohet siç duhet, do të duhet të kalojnë shumë ditë procedurash të ndërlikuara.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG