Lidhje

Të burgosurit e Guantanamos


Pentagoni po përshpejton transferimin e të ndaluarve nga burgu në Gjirin Guantanamo, Kubë. Dy të burgosur sauditë u dërguan në shtetin e tyre disa ditë më parë, pasi zyrtarët amerikanë thanë se ishin siguruar nga qeveria saudite se ata do të trajtoheshin njerzërisht dhe se nuk do t’u bashkoheshin grupeve terroriste.

Pothuajse gjysma e të ndaluarve në Guantanamo kanë dalë të pafajshëm, por ende gjenden aty, në disa raste prej më shumë se 10 vitesh. Presidenti Obama pat premtuar një fushatë për mbylljen e burgut. Ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv për mbylljen, por kufizimet nga Kongresi e penguan. Kritikët thonë se presidenti nuk u përpoq shumë për heqjen e pengesave. Në muajin maj, presidenti i bëri thirrje Kongresit të heqë pengesat.

“Historia do të na gjykojë rëndë në këtë aspekt të luftës kundër terrorizmit. Imagjinoni sikur 10 apo 20 vjet më vonë, Shtetet e Bashkuara ende të mbajnë njerëz ndaj të cilëve nuk janë ngritur akuza në një tokë që nuk është pjesë e vendit tonë.”

Mesa duket, kjo thirrje është dëgjuar. Në një kompromis të rrallë, ligjvënësit demokratë dhe republikanë kanë dhënë miratime paraprake për legjislacionin që do të lehtësonte punën e administratës në negocimin e transferimit të të ndaluarve në vende të tjera.

Çështja e të ndaluarve ishte lënë në harresë në Uashington, por disa muaj më parë më shumë se 100 të ndaluar zhvilluan një grevë urie. Avokati David Remes përfaqëson disa prej grevistëve të urisë dhe beson se veprimet e tyre tërhoqën vëmendjen, duke detyruar zotin Obama dhe Kongresin të reagonin.

“Njerëzit janë të lodhur me Guantanamon. Nuk duan ta dëgjojnë më këtë çështje dhe duan që ajo të venitet. Mendoj se janë të gatshëm të lejojnë presidentin Obama të pakësojë numrin e të ndaluarve.”

Si pjesë e sigurisë, vendet që pranojnë të ndaluarit duhet të premtojnë se nuk do të përdorin torturën dhe se këta njerëz nuk do kryejnë akte terroriste. Por synimi përfundimtar i mbylljes së burgut ende nuk është në horizont. Pasi të ndaluarit që janë gjetur të pafajshëm janë transferuar, janë ende 80 të tjerë që përballen me gjykimin. Mes tyre Khalid Sheikh Mohammed dhe katër të tjerë që akuzohen për planifikimin e sulmeve të 11 shtatorit 2011. Në rastin e këtyre të pestëve, ende nuk flitet për largimin e tyre nga Guantanamo.
XS
SM
MD
LG