Lidhje

SHBA, transferime të reja nga kampi i Guantanamos


Administrata e Presidentit Obama informoi Kongresin se do të transferojë në Uruguaj gjashtë persona që mbahen në kampin e paraburgimit të Guantanamos.

Sipas mediave amerikane, javën e kaluar Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel u ka dërguar një letër udhëheqësve të Kongresit, ku i njofton për këto plane.

Ky do të ishte transferimi i parë nga kampi Guantanamo që nga muaji maj, kur pesë ish-komandantë talebanë u dërguan në Katar, në këmbim të lirimit të rreshterit amerikan Bowe Bergdahl, që ishte kapur në Afganistan pesë vjet më parë. Shkëmbimi i robërve i zemëroi ligjvënësit e Kongresit për shkak se administrata nuk i kishte informuar ata paraprakisht, siç e kërkon ligji.

Grupi i tanishëm përbëhet nga katër sirianë, një palestinez dhe një tunizian. Ata janë pjesë e më shumë se 70 të burgosurve në Guantanamo që kanë kaluar nëpër procedurat e verifikimit dhe presin të transferohen. Në kampin e Guantanamos në Kubë aktualisht ka 149 të burgosur.

XS
SM
MD
LG