Lidhje

The Guardian: Obama ka urdhëruar operacione kibernetike


President Barack Obama arrives at Palm Spring International Airport in Palm Springs, California,, June 7, 2013.
President Barack Obama arrives at Palm Spring International Airport in Palm Springs, California,, June 7, 2013.

Presidenti Obama i mbrojti praktikat e fshehta të përgjimit të ndjekura nga administrata që synojnë parandalimin e terrorizmit

Gazeta The Guardian njoftoi mbrëmë se Presidenti Barak Obama ka urdhëruar agjencitë e ndryshme qeveritare të përgatiten për operacione kibernetike sulmi, duke përfshirë edhe hartimin e një liste me objektiva jashtë Shteteve të Bashkuara që mund të sulmohen. Ky është dokumenti i tretë sekret që publikohet nga kjo gazetë brenda 48 orëve. Dje, Presidenti Obama mbrojti me këmbëngulje praktikat e fshehta të përgjimit të ndjekura nga administrata që synojnë parandalimin e sulmeve terroriste.

Presidenti Obama mori në mbrojtje programet e fshehta të përgjimit, kur u pyet nga gazetarët gjatë një takimi për kujdesin shëndetësor në Kaliforni.

"Vlerësimi im dhe i ekipit tim është se këto praktika na ndihmojnë të parandalojmë sulmet terroriste. Ndonjë shkelje modeste e privacisë që ndodh kur kontrollohen tabulatet, por pa dëgjuar përmbajtjen e bisedave telefonike, krahasuar me përfitimin ia ka vlejtur," tha Presidenti.

Por njoftimet se administrata kontrollon tabulatet telefonike dhe serverat e disa kompanive të internetit për të zbuluar lidhje të mundshme terroriste ka shkaktuar një valë të zemërimit mes atyre që mbrojnë privacinë e qytetarëve.

Elizabeth Goitein, e Qendrës Brennan për Drejtësinë, thotë se kontrolli i miliona tabulateve nuk ka ndonjë efekt.

"Vë bast se kontrolli i miliona tabulateve telefonike të amerikanëve nuk është mënyrë e mirë për të gjetur terroristët. Ekspertët e antiterrorizmit thonë se mënyra më e mirë është kur vihen në shënjestër ata që dyshohen."

Por shumë ligjvënës amerikanë për vite me rradhë kanë patur dijeni për programet sekrete dhe i mbështesin ato, duke përfshirë edhe kryetaren e Komisionit të Senatit për Zbulimin, Dianne Feinstein.

"Ne duhet të gjejmë mënyra për të patur të dhëna të tilla. Kjo mund të parandalojë komplotet dhe vrasjen e amerikanëve," thotë senatorja.

Presidenti Obama thotë se nxjerrja e programeve të fshehta ka ringjallur një debat se si duhet pajtuar nevoja e sigurisë kombëtare me atë të lirive civile, debat që ai e mirëpret.

"Nuk mund të kesh 100 për qind siguri dhe 100 përqind privaci. Do të na duhet të bëjmë disa zgjedhje mes të dyjave," tha Presidenti.

Disa anëtarë të Kongresit kanë premtuar se do të organizojnë seanca dëgjimore lidhur me programet sekrete të përgjimeve.
XS
SM
MD
LG