Lidhje

Krimet e komunizmit në Rumani


Pas shumë dekadash mohimi, në Rumani po dalin në dritë hollësitë rrëqethese për torturat që rojet praktikonin ndaj të burgosurve politikë në gulaget e kohës së komunizmit. Ky është vetëm hapi i parë në procesin për t'i nxjerrë torturuesit në gjyq dhe procesi mund të mos jetë i lehtë.

Në gulaget e Rumanisë ka qenë e zakonshme goditja e të burgosurve me shuallin e këpucës ose djegia me cigare. Në raste të tjera, atyre u jepej mish i prishur ose detyroheshin të hanin jashtëqitjet e veta. Emrat e 35 rojeve, tani në të tetëdhjetat ose nëntëdhjetat, do t'u jepen së shpejti autoriteteve për të filluar ndjekjen e tyre ligjore.

Gulagu rumun
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:04:26 0:00

Dy ish-të burgosur politikë përshkruajnë ato që kanë hequr në gulagun e Zhilavës. Njëri prej tyre, Emilian Mihailescu, arkitekt, tregon se të burgosurve u duhej të duronin të ftohtët e madh dhe disa vdisnin nga sëmundja sepse askush nuk u jepte ilaçe.
Ndonjëherë ata i linin të vdisnin nga uria. Mihailescu thotë se tmerret që ka parë në gulag ia bëjnë të vështirë që t'i falë ata që e torturuan. Emilian Mihailescu, ish-i burgosur

"Po t'i pyesësh ata sot, nëse janë penduar, nëse e kuptojnë se ç'farë na kanë bërë, do të habiteni me përgjigjen e tyre. Ata as që kanë ndonjë pendesë. Prandaj edhe unë e kam për detyrim që të mos i fal," thotë zoti Mihailescu, gjatë një vizite në ish-burgun e Zhilavës.

Edhe shoku i tij i burgut, Ion Baurceanu, tregon se si e rrihnin me shkop.

"Unë e pyesja rojen: 'Po kushtetuta?' Dhe ai përgjigjej me shkopin e gomës në dorë: 'Kushtetuta është për ata në Angli dhe në Amerikë. Për juve këtu, shkopi është kushtetuta.'"

Njëri prej rojeve quhet Ion Ficior dhe emri i tij do të shpallet publiksht këtë muaj. Të burgosurit i kishin vënë atij nofkën "Shtaza njerëzore". Ish-i burgosuri Ianos Mokar thotë se ky roje i rrihte ata çdo ditë me shkop prej druri dhe i terrorizonte duke kërcyer mbi ta me kalë.

"Ne që ishim të rinj iknim me vrap, por të moshuarit e kishin të vështirë dhe ata i hanin të gjitha goditjet," kujton zoti Ianos Mokar.

Por ish roja Ion Ficior mohon se i ka rrahur të burgosurit:

"Ndonjëherë më jepnin urdhër për të rrahur ndonjë dhe unë nuk isha dakord. Unë kurrë nuk kam rrahur njeri, kurrë nuk kam vënë dorë. Kam zbatuar vetëm dënimet sipas rregullave të izolimit," thotë Ficior.

85-vjeçari thotë se gjithmonë është përpjekur që të burgosurit të merrnin racionin e plotë nga kuzhina, duke urdhëruar, për shembull, që patatet të qëroheshin sa më hollë.
Ai pretendon se të burgosurit politikë nën komandën e tij në kampin Periprava ishin ushtarakë që kishin mbështetur nazistët gjatë luftës. Por historianët thonë se shumica e të burgosurve politikë ishin njerëz që thjesht e urrenin regjimin komunist.

Sipas ish-rojes, përgjegjësia për sistemin e burgjeve politike bie mbi udhëheqësit komunistë të Rumanisë dhe se njerëz si ai thjesht zbatonin urdhërin. Ata që bënë krime në kohën e komunizmit prej kohe fshihen në strukturat politike të vendit, të cilat janë të mbushura me ish spiunë të policisë sekrete. Por lëvizja për të nxjerrë para gjyqit ish-rojet e kampit ka një përfaqësues të fuqishëm tek Partia Liberale, e cila është tani pjesë e koalicionin qeverisës.

Nga 617,000 të burgosurit politikë që kishte Rumania, 120,000 vdiqën nëpër kampe. Mes tyre kishte politikanë, klerikë, shkrimtarë, diplomatë dhe madje fëmijë.
Shumica e atyre që dolën gjallë nga burgjet tani nuk jetojnë më. Kanë mbetur gjithsej vetëm 2800 njerëz, të cilët shikojnë një shkëndijë shprese për drejtësi tani që Instituti për Hetimin e Krimeve të Komunizmit po fillon hetimin ndaj 35 ish-rojeve si dhe të krimeve të tjera të komunizmit. Drejtori i Institutit, Andrei Muraru, thotë se kurrë nuk është vonë për të vënë në vend drejtësinë:

"Ata që sollën aq shumë vuajtje dhe terror duhet të paguajnë. Edhe sikur të jenë 80 apo 90 vjeç, ata nuk janë të larë nga përgjegjësia."
XS
SM
MD
LG