Lidhje

Gulen mohon akuzat për organizimin e puçit


Akuzat e Turqisë se kleriku mysliman Fethullah Gulen është organizator i përpjekjes së fundit për një puç ushtarak, kanë acaruar edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy burrave që dikur konsideroheshin aleatë të ngushtë.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan fajësoi për puçin mbështetësit e rivalit të tij kryesor, me banim në SHBA, Fethullah Gulen. Lëvizja e tij, e quajtur “Hizmet”, ka një prani me ndikim në shoqërinë turke, përfshirë në sektorë si mediat, policia dhe gjyqësori.

Zoti Gulen qarkulloi një deklaratë në të cilën dënon “me forcë” puçin e dështuar ushtarak dhe mohon kategorikisht akuzat se ai ka qenë ideatori.

Në deklaratën e tij thuhet se “qeveria duhet fituar nëpërmjet një proçesi zgjedhjesh të lira dhe të ndershme, dhe jo nëpërmjet forcës. I lutem Zotit për Turqinë, qytetarët turq, dhe për të gjithë ata që ndodhen në Turqi, që kjo situatë të zgjidhet me shpejtësi dhe në mënyrë paqësore... Duke qenë se kam përjetuar vetë disa puçe ushtarake gjatë pesë dekadave të fundit, është veçanërisht ofenduese që të më akuzojnë se kam patur ndonjë lidhje me një përpjekje të tillë,”- tha ai.

I përballur me protesta kundër qeverisë dhe me hetime për korrupsion, zoti Erdogan i ka fajësuar shpesh për telashet e tij ndjekësit e zotit Gulen dhe fuqitë e huaja.

Presidenti turk ka akuzuar shpesh ish-aleatin e tij, i cili jeton në mërgim në Pennsilvani të SHBA-së, se përpiqet të rrëzojë qeverinë.

Por në vetë mesazhet e tij, zoti Gulen është shprehur se zoti Erdogan vuan nga “mendime të kalbura” dhe i ka hedhur poshtë akuzat.

Kleriku mysliman 75-vjeçar njihet si përkrahës i një filozofie që gërsheton një formë mistike të Islamit, me një mbështetje të fortë për demokracinë, arsimin, shkencën dhe dialogun ndërfetar.

Mesazhet e tij për paqen dhe tolerancën kanë fituar lëvdatat e personaliteteve në SHBA. Në aktivitetet e fondacioneve të tij kanë ligjëruar personalitete si ish-Sekretarët e Shtetit, Madeleine Albright dhe James Baker, si dhe ish-Presidenti Bill Clinton.

Lëvizja e tij “Hizmet”, që do të thotë “shërbim”, përfshin organizata kërkimore, shkolla dhe rrjete të ndryshme mediatike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG