Lidhje

SHBA, reagime ndaj masave për kontrollin e armëve


Presidenti Obama ka parashtruar sot nisma të reja për të ndalur dhunën nga armët. Ai u përpoq t’i bindë sot amerikanët se urdhëri ekzekutiv lidhur me këtë çështje nuk shkel të drejtat kushtetuese të shtetasve amerikanë.

Megjithë shtimin e numrit të amerikanëve që kërkojnë masa më të forta për kontrollin e armëve, reagimet ndaj nismave të administratës mbeten të përziera. Në Kaliforni, ata që mbështesin forcimin e masave, i përshëdesin rregulloret si një mënyrë për të mos lejuar armëmbajtje nga persona të çekuilibruar.

Adam Glick, banor në Venice Beach, Kaliforni

“Mendoj se është vendimi i duhur që kërkohej prej kohësh. Më shumë amerikanë gjetën vdekjen nga goditjet me armë nga amerikanë të tjerë se sa në dy luftrat e fundit. Ka ardhur koha për kontrollin e rekordeve dhe për të mos lejuar që armët të bien në duart e njerëzve të çmendur”.

Ata që mbështesin kontroll më të fortë mbi armët, e shohin të pashmangshëm anashkalimin e kongresit nga presidenti:

Dennis Moreau, Banor i Noksvillit, shteti Tenesi

“U përpoqëm t’i miratojmë masat përmes Kongresit, por ata nuk miratojnë ligje pasi Shoqata Kombëtare e Armëve bën lobizëm të fortë. Prandaj presidentit iu desh të bënte diçka, pasi u lodh nga masakrimi i fëmëjëve çdo vit. Nuk i vë faj”.

Për ata amerikanë që kundërshtojnë propozimet e presidentit, kjo nuk është gjë tjetër veçse një tentativë e fundit e qeverisë federale për të shtrirë autoritetin mbi të drejtat e qytetarëve:

Lance Miller, banor i Centerpoint, shteti Ajova

“Nëse zbatohen rregulloret që ekzistojnë do të ketë përparim të madh në zgjidhjen e problemit. Nuk më pëlqen zgjerimi i qeverisë, nuk më pëlqejnë rregullat shtesë. Fillimisht duhet të zbatojmë ligjet që kemi”.

Masat shtesë për kontrollin e shit-blerjes së armëve kundërshtohen me forcë në veçanti nga tregarët e armëve:

JAMES HILLIN, TREGTAR ARMËSH

“Duan të krijojnë një regjistër kombëtar. Regjistri çon në konfiskim. Hitleri, Stalini, të gjitha këta udhëheqës fillimish mblodhën armët që të kontrollonin popullatën. Ky është qëllimi përfundimtar”.

Kongresi i kontrolluar nga republikanët kundërshton vendosjen e kufizimeve të reja mbi të drejtën e armëmbajtjes dhe pritet që nismat e presidentit të pasohen me padi gjyqësore.

XS
SM
MD
LG