Lidhje

Guterres, bota po përballet me probleme sfiduese


Sekretari i ri i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres thotë se bota po përballet me "sfida të shumta” që do të duhet të trajtohen vetëm nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar. Zoti Guterres të dielën filloi mandatin e tij pesë vjeçar në krye të OKB-së.

Në fjalimin e tij të parë, të martën para personelit në selinë e OKB-së në Nju Jork, Sekretari i ri i OKB-së shprehu pikëpamjet e tij mbi zhvillimet në botë.

"Ky është momenti në të cilin duhet të theksojmë vlerën e multilateralizmit. Ne duhet të pranojmë se vetëm zgjidhjet globale mund të trajtojnë problemet globale dhe se OKB është themeli i kësaj qasjeje shumëpalëshe", tha ai.

Ish-shefi i agjencisë së OKB-së për refugjatët, gjithashtu i pranoi mangësitë e organizatës dhe kërkoi një angazhim të përbashkët për reformimin e institucionit 72-vjeçar.

"Ka shumë skepticizëm rreth rolit që mund të luajë OKB-ja. Kështu që unë mendoj se është shumë e rëndësishme për ne që të jemi krenarë me punën dhe arritjet e OKB-së. Në të njëjtën kohë, ne duhet të sigurohemi që ne jemi në gjendje të reformojmë OKB-në, siç kanë kërkuar shtetet anëtare", tha zoti Guterres.

Shumë vëzhgues të OKB-së janë të shqetësuar se President i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili ka kritikuar hapur organizatat ndërkombëtare si OKB-në dhe NATO-n, mund të shkurtojë në mënyrë drastike fondet për organizatën në një kohë kur ajo është e mbingarkuar me kriza të shumta.

Presidenti i zgjedhur Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, e ka quajtur OKB-në "një klub ku njerëzit mblidhen vetëm për biseda dhe për të kaluar kohë të mira."

Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi më i madh në buxhetin e OKB-së dhe në operacionet e saj paqeruajtëse. Uashingtoni gjithashtu jep fonde të konsiderueshme për ndihmat humanitare.

XS
SM
MD
LG