Lidhje

Guvernatori i BSH, dilemat e shumicës


Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë Erion Brace tha se do të kërkojë interpretimin e Komisionit të Ligjeve për propozimin e presidentit Nishani

Në Shqipëri, pas propozimit të presidentit Bujar Nishani të kandidatit për guvernator të Bankës Qendrore, kryetari I Komisionit të Ekonomisë Erion Brace tha sot se do të kërkojë interpretimin e Komisionit të Ligjeve duke qenë se sipas tij cështja ka një problem ligjor: "Ligji është shumë i qartë, 5 anëtarë i propozon Kuvendi, 3 anëtarë qeveria dhe 1 anëtar e propozon Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së- Asnjë institucion tjetër përtej këtyre 3 institucioneve nuk angazhohet apo ngarkohet nga ligji për të përzgjedhur anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës. Për fat të keq, Guvernatori sipas ligjit, duhet të jetë edhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës. Kështu që mbetemi në këtë moment ligjor që duhet ta zgjidhim institucionet e tjera të Kuvendit".

Zoti Brace tha se kjo cështje “është mjaft e rëndësishme dhe duhet zgjidhur me qetësi dhe mirëkuptim midis institucioneve. Vullnetet individuale nuk i shërbejnë askujt”, u shpreh ai, duke ju referuar në këtë mënyrë procedurës së ndjekur nga presidenti Nishani.

Nga ana e tij kryetari i parlamentit Ilir Meta, në një intervistë për televizionin Vizion Plus shmangu komentet mbi një përplasje të mundshme ligjore në rastin e dekretit të presidentit, duke i mëshuar faktit se “e rëndësishme është që çështja e Guvernatorit të marrë një zgjidhje sa më të shpejtë, sa më konsensuale dhe në interes të forcimit të pavarësisë së këtij institucioni”, tha zoti Meta, duke njoftuar vazhdimin e procedurave parlamentare.

Pak ditë më parë, presidenti Nishani propozoi emrin e Gent Sejkos, ekspert që vjen nga sistemi bankar. Ai ka punuar në detyra të ndryshme drejtuese edhe në Bankën e Shqipërisë, por edhe banka të tjera të nivelit të dytë. Aktualisht prej më shumë se katër vitesh është nëndrejtor i Bankës franceze Societe Generale në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG