Lidhje

Guvernatori i Donetskut, intervistë për VOA

  • Henry Ridgwell

Më tepër se 10 ndërtesa shtetërore në Ukrainën lindore vazhdojnë të mbeten në duart e protestuesve pro-rusë, të cilët kërkojnë një referendum për vetëqeverisje. Guvernatori i rajonit Donetsk është një nga ata që u nxorën prej ndërtesave nga protestuesit. Ai foli me gazetarin e Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, në zyrën e tij të re, të përkohshme, në qytetin Donetsk.

Zyra e guvernatorit të gjithë rajonit të Donetskut, Serhiy Taruta, u sulmua dy javë më parë dhe është bërë selia qendrore e protestuesve pro-rusë. Tani, zoti Taruta po përpiqet të qeverisë Donetskun nga një hotel aty pranë.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, ai fajësoi Rusinë për protestat:

"Gjëja më shokuese është se mes njerëzve që kanë rrëmbyer armët ka persona të armatosur nga Rusia. Ata as nuk përpiqen ta fshehin këtë fakt."

Moska e mohon të ketë agjentë rusë të përfshirë.

Në barrikada ka shumë gra, punëtorë dhe madje fëmijë. Guvernatori Taruta pranon se një pjesë e madhe e popullsisë ka shqetësime të ligjshme.

"Ngjarjet që ndodhën në Maidan, pra në sheshin e Pavarësisë në Kiev, dhe ato që rrodhën më pas, janë parë si fyerje nga populli i Donetskut. Ish-presidenti si dhe shumë ministra të qeverisë së tij ishin nga rajoni i Donetskut. Dhe në mendjet e tyre, lufta kundër pushtetit të vjetër ishte një luftë kundër tyre."

Ushtria e Ukrainës ka filluar atë që e quan një operacion anti-terror kundër protestuesve. Serhiy Taruta thotë se do të jetë një operacion delikat.

"Natyrisht, ata që nuk janë të armatosur nuk duhet të përballen me tanket e ushtrisë. Me ata njerëz duhet biseduar. Por ata gjithashtu duhet të jenë të gatshëm për të marrë pjesë në dialog. Sepse në qoftë se ata nuk pranojnë dialog, kjo do të thotë se janë duke punuar për një skenar ndryshe."

Serhiy Taruta, një manjat i çelikut me një pasuri prej rreth 2 miliardë dollarësh, u emërua guvernator nga pushteti i ri në Kiev, në muajin mars.

Ky rajon mbështetet tek industria e rëndë dhe e minierave, dhe zoti Taruta është kryetar i sindikatës industriale. Ai është gjithashtu pronar i klubit të futbollit Donetsk. Ai thotë se e di që shumica e njerëzve nuk duan që Donetsku të bëhet pjesë e Rusisë.

"Ata vërtetë duan që njerëzit në rajonin Donetsk të kenë një jetë më të mirë. Ne po zhvillojmë dialog me ta duke i takuar në këtë hotel, për t'i bindur se kemi të njëjtin mendim. Ne gjithashtu duam të zhvillojmë një referendum për çështje të rëndësishme në lidhje me territorin tonë. Por kjo nuk do të përfshinte unitetin e vendit."

Ai këmbëngul se separatistët e armatosur që refuzojnë dialogun me qeverinë duhet të përballen me përdorimin e forcës.

"Nuk ka alternativa të tjera kur ata pushtojnë institucionet e rendit publik të vendit. Nuk mendoj se ndonjë komb tjetër do të lejonte që ushtria e tij të sulmohej. Dhe në këtë rast ushtria është duke treguar vetëpërmbajtje të madhe për të shmangur një rrëmujë edhe më të gjerë."

Nga një dhomë hoteli në Donetsk, Guvernatori Taruta përballet me sfidën e parandalimit të shpërbërjes së Ukrainës. Detyra e tij e parë është të përpiqet të rimarrë zyrën e tij, ku aktualisht janë duke u valvitur ngjyrat e Rusisë.
XS
SM
MD
LG