Lidhje

Guvernatori i Teksasit, Rik Perri kryeson garën mes kandidatëve republikanë

  • Greg Flakus

Guvernatori i Teksasit, Rik Perri kryeson garën mes kandidatëve republikanë

Guvernatori i Teksasit, Rik Perri kryeson garën mes kandidatëve republikanë

Guvernatori i Teksasit, Rik Perri shpalli kohët e fundit kandidaturën për emërimin e Partisë Republikane në garën presidenciale të vitit 2012 dhe menjëherë ka gëzuar mbështetjen më të madhe në anketat e opinionit. Guvernatori Perry është popullor mes shumë konservatorëve, por ai mund të mos gëzojë mbështetje aq të madhe mes votusve të moderuar dhe të pavarur, nëse fiton emërimin e partisë së tij dhe përballet me Presidentin Barak Obama në zgjedhjet e nëntorit 2012.

Elementi kryesor tërheqës i Rik Perrit për votuesit është se gjatë dekades së fundit, Teksasi ka krijuar më shumë vende pune se çdo shtet tjetër.

Dhe në debatet me rivalët e tij republikanë, ai premtoi të ndjekë shembullin e shtetit të tij për t’i dhënë shtytje zhvillimit ekonomik në gjithë vendin.

"Po t’u japësh njerzve mundësinë që të rrezikojnë kapitalin e tyre, duke ulur barrën e taksave dhe duke zbutur atmosferën e rregullave të tepruara, atëhere do të shikojmë se si ekonomia amerikane merr vrull si një anije kozmike".

Por rivalët e tij, veçanërisht ish guvernatori i shtetit Massachusetts, Mit Romni, vënë në pikpyetje kritikat e zotit Perri për programin federal të sigurimeve shoqërore për të moshuarit.

"Por çështja është nëse ti ende beson se sigurimet shoqërore nuk duhet të ekzistojnë si një program federal, ashtu siç mendoje para 6 muajsh kur doli në shitje libri tënd, dhe ky program t’u kthehet shteteve individe, apo dëshiron të tërhiqesh nga ky qëndrim?"

Kritikët thonë se qëndrimi konservator i guvernatorit Perri lidhur me sigurimet shoqërore dhe çështje të tjera mund ta ndihmojë atë të fitojë emërimin e Partisë Republikane, por në të njëjtën kohë dëmton mbështetjen mes votuesve të moderuar, për të cilët ai do të ketë nevojë që të fitojë zgjedhjet presidenciale.

Mark Xhons është Shef i Katedrës së fakultetit të shkencave politike në Universitetin Rajs.
"Nëse fokusi i fushatës nuk do të jetë aq shumë ekonomia dhe vendet e punës, por çështje të tjera si vlerat shoqërore, besimi fetar, sigurimet shoqërore, mendoj se kandidatura e zotit Perri është e destinuar të dështojë".

Gjatë fushatës për guvernator, zoti Perri mbajti një qëndrim të ashpër kundër emigracionit të paligjshëm përgjatë kufirit gati 2 mijë kilometra mes Teksasit dhe Meksikës.

Por ai zemëroi disa konservatorë kur mbështeti një plan gjithpërfshirës për reformën e imigracionit.

"Ne duhet të hartojmë dhe të miratojnë një ligj për imigracionin që lejon individët, të cilët janë këtu thjeshtë për arsye ekonomike, që të lëvizin lirisht në të dy anët e kufirit".

Mark Xhons thotë se ky qëndrim mund të përbëjë problem për zotin Perri mes votuesve konservatorë, por mund ta ndihmojë atë të fitojë votat e hispanikëve.

"Ai është përpjekur të mbështesë të dyja anët e çështjet së imigracionit".

Zoti Xhons mendon se problemi më i madh i guvernatorit Perri mund të jetë se disa republikanë kanë frikë se qëndrimet e tij më ekstreme mund ta dëmtojnë atë në garën kundër zotit Obama. Mark Xhons i Universitetit Rajs thotë se Mit Romni, më i moderuar, mund të përfitojë nga kjo.

"Ajo që Mit Romni do të bëjë gjatë 6 muajve të ardhshëm është t’i bindë pikërisht këta votues si dhe votuesit e moderuar se Rik Perri nuk mund të fitojë në zgjedhjet presidenciale ndaj presidentit Obama".

Ndërkohë, Rik Perri nuk ka humbur asnjëherë në zgjedhje, megjithëse e gjitha kariera e tij është përqëndruar në shtetin e Teksasit. Prova e tij e madhe në shkallë kombëtare do të fillojë vitin e ardhshëm me zgjedhjet paraprake në shtetet Ajova dhe Nju Hempshër.

XS
SM
MD
LG