Lidhje

Hagë: Dy aleatë të Millosheviçit shpallen të pafajshëm

  • Lisa Bryant

Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte ka shpallur të pafajshëm dy aleatë të ngushtë të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç. Ata akuzoheshin për përfshirje në vrasje dhe krime të tjera të kryera nga ushtarët gjatë luftrave ballkanike të viteve 1990.

Jovica Stanishiç dhe Franko Simatoviç u përqafuan me avokatët e tyre, pasi u shpall vendimi për lirimin e tyre nga akuzat për krime lufte në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara në Hagë. Stanishiç ka qenë shefi i policisë sekrete të Serbisë në vitet 1990 dhe dikur konsiderohej si personi më i fuqishëm pas Sllobodan Millosheviçit. Simatoviç ishte zëvendësi i tij.

Pala akuzuese argumentoi se të dy të pandehurit kishin thurur plane të fshehta për spastrimin etnik të Bosnjes dhe Kroacisë gjatë luftrave të viteve 1990 që shpërthyen me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Por tre gjykatësit që drejtuan procesin vendosën dje se, megjithëse ushtarët serbë kishin kryer krime si në Bosnje dhe në Kroaci, nuk kishte prova të mjaftueshme për të lidhur dy të akuzuarit drejtpërdrejt me këto akte. Dy nga gjykatësit thanë nuk ishin në gjendje të arrinin një konkluzion të qartë nëse të pandehurit kishin thurur plane kriminale për dëbimin e popullatës jo-serbe nga Bosnja dhe Kroacia.

Prokurorët mund ta apelojnë vendimin.

Gjykata e Hagës vazhdon prej dy dekadash proceset gjyqësore lidhur me konfliktet e viteve 1990, ku Serbia është portretizuar si vend agresor. Por deri tani asnjë ish-zyrtar serb nuk po vuan dënim lidhur me krimet e luftës të kryera gjatë luftrave në Ballkan. Ish-Presidenti Millosheviç, i cili u gjykua në Hagë, vdiq para se të jepej vendimi.

Tre muaj më parë Gjykata shpalli të pafajshëm edhe ish-shefin e Ushtrisë Kombëtare Jugosllave i cili akuzohej për përfshirje në masakrat e kryera në Kroaci nga luftëtarë serbë.

Në një tjetër çështje gjyqësore, gjykata dënoi me 25 vjet burg një ish-udhëheqës të kroatëve të Bosnjes lidhur me akuzat për spastrim etnik, ku përfshiheshin edhe akuza për përdhunim, vrasje dhe dëbim të banorëve myslimanë nga Bosnja gjatë konfliktit. Pesë të pandehur të tjerë u shpallën fajtorë dhe u dënuan me 10-20 vjet burgim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG