Lidhje

Sekretari Hagel në Singapor


Sekretari amerikan i Mbrojtjes po shfrytëzon forumin e sigurisë sot në Singapor për të akuzuar publikisht qeverinë kineze për kryerjen e sulmeve kibernetike mbi objektivat amerikane.

"Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth kërcënimit në rritje të depërtimeve kibernetike, disa prej të cilave duket të jenë të lidhura me ushtrinë dhe qeverinë kineze. Si dy ekonomitë më të mëdha të botës, Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë shumë zona të interesit dhe shqetësimeve të përbashkëta, dhe krijimi i një grupi pune për këtë synim është një hap pozitiv në ndërtimin e dialogut për sulmet kibernetike."

Chuck Hagel tha se ai ka në plan ta shtrojë këtë çështje me delegacionin kinez në konferencën e dialogut të sigurisë në Shangri-La.

Kohët e fundit qeveria amerikane dhe raportet e mediave thane se hakera kinezë kanë vjedhur disa informacione nga dhjetra programe armësh të Pentagonit dhe teknologji të tjera të mbrojtjes. Kina i ka hedhur poshtë akuzat, por nuk i është përgjigjur deklaratës së fundit nga zoti Hagel.

Komentet vijnë disa ditë para se presidenti kinez Xi Jinping të takohet me presidentin amerikan Barack Obama në Kaliforni, ku zyrtarët thonë se do të diskutohen sulmet kibernetike.
XS
SM
MD
LG