Lidhje

Hagel, Brennan, kandidatura për Pentagon dhe CIA


Presidenti Barack Obama emëroi ish senatorin republikan nga Nebraska, Chuck Hagel për në postin e Sekretarit të Mbrojtjes dhe këshilltarin e tij kundër terrorizmit, John Brennan si drejtor të Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA. Presidenti i njoftoi këto dy emërime në prani të Sekretarit të tanishëm të Mbrojtjes, Leon Panetta dhe drejtorit në detyrë të CIA-s, Mike Morell.

Roli udhëheqës i Chuck Hagelit në ushtrinë tonë do të jetë historik. Ai do të jetë personi i parë me grada të larta ushtarake, që bëhet Sekretar i Mbrojtjes, njëri prej pak sekretarëve të plagosur në luftë dhe veterani i parë i Vietnamit në krye të Departamentit të Mbrojtjes”.

Zoti Hagel, i cili ka qënë senator për dy mandate, ka mbështetje të madhe si në qarqet zyrtare edhe ato jo-zyrtare.

Por disa republikanë dhe kritikë e kundërshtojnë emërimin për shkak të qëndrimeve të tij, që sipas tyre, tregojnë ndjenja armiqësie ndaj Izraelit dhe dobësi ndaj Iranit.

“Nëse konfirmohet në këtë post, zoti Hagel do të jetë Sekretari i Mbrojtjes më armiqsor ndaj shtetit të Izraelit në historinë e vendit tonë”.

Zoti Hagel i është referuar një herë të ashtuquajturit "lobi hebre" si frikësues.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney e mbrojti zotin Hagel.

“Gjatë gjithë karierës së tij, senatori Hagel ka qënë një përkrahës i palëkundur i Izraelit, i marrëdhënieve amerikano-izraelite dhe i mbështetjes amerikane për sigurinë e Izraelit”.

Alan Elsner është nënpresident i lobit pro-Izraelit dhe pro-Lindjes së Mesme, J Street, lob ky që mbështet zotin Hagel.

“Emri i tij po njolloset dhe personalisht e dënoj një qëndrim i tillë. Babai im është i mbjetuar i Holokaustit dhe jam mëse i vetëdijshëm se në botë ekzistojnë ndjenja anti-semite, por kur shikoj Chuck Hagelin mendoj se akuza të tilla janë fare qesharake”.

Nëse konfirmohet nga Senati, John Brennan do të zëvëndësojë gjeneralin David Petraeus, i cili dha dorëheqjen si drejtor i CIA-s vitin e kaluar pas njoftimeve për marrëdhënie jashtëmartesore.

“Misioni im do të jetë të garantoj se CIA ka mjetet e duhura për të ruajtur sigurinë e vendit dhe se puna e kësaj agjencie pasqyron gjithnjë liritë dhe vlerat, që ne i çmojmë aq shumë”.

Mbrojtja nga ana e zotit Brennan për vrasjen e terroristëve të dyshuar nëpër botë si një hap i ligjshëm dhe etik pritet të nxisë pyetje të ashpra nga ana e senatorëve.

Presidenti Obama tha se zoti Brennan dhe ish-senatori Hagel e kuptojnë se siguria kombëtare varet tek burrat dhe gratë, që shërbejnë në ushtri dhe në agjencinë e zbulimit.

“Ata e kuptojnë se ne jemi të suksesshëm si rrjedhojë e përkushtimit të personelit të këtyre dy institucioneve”.

Presidenti Obama i bëri thirrje Senatit që të veprojë me shpejtësi për konfirmimin e këtyre dy emërimeve dhe të emërimit të senatorit demokrat, John Kerry për në postin e Sekretarit të Shtetit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG