Lidhje

SHBA rishikon ndihmën financiare për Egjiptin


Administrata e presidentit Obama po përballet me pyetje të vështira mbi mundësitë e saj për të ndikuar në qeverinë ushtarake të Egjiptit për t'i dhënë fund shtypjes së përgjakshme të opozitës. Zyrtarët thonë se diskutimet për këtë çështje janë duke vazhduar.

Zyrtarët e administratës së presidentit Obama thonë se po vazhdojnë rishikimin e politikës amerikane të dërgimit të ndihmave vjetore prej 1.5 miliardë dollarësh për Egjiptin.

Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel pranoi të hënën se ndikimi i Uashingtonit në këtë situatë është i kufizuar.

"Aftësia jonë për të ndikuar në situatën në Egjipt është e kufizuar. Ajo është në dorë të popullit egjiptian dhe Egjipti është një vend i madh sovran. Ata janë përgjegjës për zgjidhjen e kësaj situate. Të gjitha vendet janë të kufizuara sa i përket ndikimit të tyre në çështjet e brendshme të një vendi tjetër. Unë nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara janë pa ndikim në këtë situatë. "

Në një njoftim të fundit të gazestës New York Times thuhet se ushtria ka vendosur të shtyp opozitën, pavarësisht 17 thirrjeve telefonike personale nga sekretari Hagel dhe takimeve të udhëheqësve ushtarakë me dy senatorë amerikanë.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki të hënë mohoi një njoftim të gazetës New York Times i cili thoshte se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të ndërpresin ndihmën e saj ushtarake dhe civile për Egjiptin.

"Ne nuk kemi marrë vendim politik për të pezulluar ndihmat nga Fondi për Mbështetjen Ekonomike. Është e qartë se kjo çështje është duke u shqyrtuar vazhdimisht dhe në këtë rishikim përfshihen ndihmat ushtarake, ndihmat për sigurinë dhe ndihmat ekonomike".

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha se Presidenti Barak Obama ka marrë dy vendime që do të kenë pasoja për qeverinë e përkohshme të Egjiptit.

"Së pari, Shtetet e Bashkuara kanë shtyrë dërgimin e planifikuar të aeroplanëve ushtarakë F-16 në Egjipt. Dhe gjithashtu javën e kaluar, presidenti bëri një deklaratë në Marta Vinjard, ku ai njoftoi anulimin e manovrave të përbashkëta ushtarake të njohura si Bright Star. "

Zëdhënësi Earnest tha se zyrtarët amerikanë janë duke vazhduar bisedimet me homologët e tyre në Kajro, për të vendosur se çfarë veprime duhet të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara.

Ai gjithashtu tha se administrata e presidentit nuk ka plane për të vendosur nëse do ta quaj përpjekje për grushtshtet rrëzimin e presidentit Mohamed Morsi nga ushtria egjiptiane.

Ligji federal kërkon ndërprerjen e ndihmës amerikane për çdo vend në të cilin përmes një grusht shteti ushtarak rrëzohet një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike.

Zëdhënësi Earnest tha se vendimet mbi Egjiptin janë duke u bërë në bazë të ligjit amerikan dhe interesave të sigurisë kombëtare.
XS
SM
MD
LG