Lidhje

E ardhmja e Hagia Sofias

  • Dorian Jones

Thirrja e një ministri të Turqisë për ta shndërruar përsëri në xhami Shën Sofinë e Stambollit, e cilatani është muze, ka provokuar kundërshtime mes grupeve fetare dhe diplomatike. Shën Sofia, e cila u ndërtua fillimisht si kishë, mbetet një simbol i rëndësishëm i Krishtërimit.

Statusi i monumentit të Stambollit, Shën Sofia ose Haghia Sofia, siç njihet gjerësisht, ka qenë gjithmonë i debatueshëm. Për 1 mijë vjet me radhë ajo ishte kisha më e rëndësishme e Krishtërimit, në qendër të Perandorisë Bizantine. Me rënien e Kostandinopojës, nën zgjedhën e turqve otomanë, ajo u shndërrua në xhami.

Pastaj, në vitin 1931, sundimtarët laikë të Turqisë e shndërruan atë në muze. Tani, zëvendëskryeministri turk Bulent Arinc, gjatë një vizite tek Hagia Sofia, la të kuptohet se ajo mund të ndryshohet përsëri.

Dikur ish-xhamitë mund të funksiononin si muzeume, por tani është ndryshe, thotë ai. Hagia Sophia tani duket e dëshpëruar, por me vullnetin e zotit asaj do t'i kthehet përsëri buzëqeshja.

Profesoresha Istar Gozaydin në Univestitetin Dogus të Stambollit është eksperte për fenë dhe shtetin. Ajo thotë se prapa një vendimi të tillë mundet të fshihen zgjedhjet dhe politika.

"Për qeverinë pro-Islamike të Turqisë është e rëndësishme që monumenti të shndërrohet në xhami. Pra, përse po bëhen përpjekje për ta shndërruar muzeun përsëri në xhami? Kjo duhet të ketë lidhje me klimën e tanishme politike në vend; me afrimin e zgjedhjeve lokale kjo çështje do të ishte një burim i rëndësishëm për vota."

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan tashmë e ka filluar fushatën elektorale, duke grumbulluar rreth vetes besimtarët, shpesh duke përdorur një retorikë fetare dhe nacionaliste.

Analistët theksojnë se kthimi përsëri i Shën Sophias në xhami do të ndikonte pozitivisht tek votuesit nacionalistë, të cilët e shohin atë si simbol të dikurshëm të madhështisë së Perandorisë Otomane.

Krahas me miliona turistë, Hagia Sofian e vizitojnë çdo vit edhe shumë turq.

Ky i ri nuk ka dyshime që monumenti duhet shndërruar në xhami.

"Ne nuk duam ta humbim kulturën tonë, duam të vijmë këtu për lutjet e së premtes, - thotë ai. Besoj se me ndihmën e kryeministrit dhe zëvendësit të tij ajo do të shndërrohet përsëri në xhami."

Stambolli është qendra e Patriarkanës Ekumenike të Kishës Ortodokse. Janë shtuar shqetësimet për shkak të shndërrimit tashmë të dy muzeumeve në xhami nga qeveria aktuale, të cilat më parë kanë qenë kisha me përmasa më të vogla, por që kanë të njëjtin emër me Hagia Sophian.

Shkëlqesia e tij Genadios i Sassima, kreu i Patriarkanës Orthodokse me seli në Stamboll, paralajmëron se kthimi i Hagia Sofias në xhami do të ishte një hap i tepruar.

"Ata duhet ta kuptojnë konkretisht se sa serioze do të jenë pasojat në mbarë botën për një veprim të tillë dhe si do të reagojë komuniteti ndërkombëtar. Sepse ky monument historik vizitohet çdo vit nga miliona njerëz, të krishterë dhe jo të krishterë, të cilët e kuptojnë se ajo është imazhi dhe piktura e një feje: Krishtërimit."

Athina tashmë e ka dënuar edhe vetë sugjerimin për shndërrimin e Hagia Sofias në xhami. Por zëdhënësi Ministrisë së Jashtme turke Levant Gumrukcu thotë se Ankaraja nuk ka nevojë për leksione mbi lirinë fetare.

"Dihet nga të gjithë se historikisht Turqia e ka respektuar shenjtërinë e objekteve fetare. Kjo nuk ka nevojë aspak që të provohet."

Por vëzhguesit parashikojnë, se lufta e fjalëve mund të jetë thjesht një paralajmërim për ato që do të vijnë, në kushtet kur Kisha Orthodokse ka aleatë të fuqishëm si në Washington, edhe në Bruksel.
XS
SM
MD
LG