Lidhje

Evropa dhe sanksionet ndaj Rusisë


Sekretari i Jashtëm britanik William Hague tha se Evropa duhet të vazhdojë kundërpërgjigjen e saj të fortë dhe të bashkuar ndaj shkallëzimit të krizës ukrainase nga ana e Rusisë. Prania e trupave ruse në kufirin me Ukrainën ka ngjallur shqetësime për një pushtim të mundshëm rus.

Sekretari i Jashtëm britanik, Hague i bëri komentet sot në prag të një takimi të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në Athinë, ku sanksionet kundër Rusisë ishin në rendin e ditës.

Zoti Hague tha se ka pasur vetëm një tërheqje simbolike të trupave ruse të grumbulluara pranë kufirit me Ukrainën, prania e të cilave ka ngjallur shqetësime për një pushtim të mundshëm rus.

"Situata mbetet shumë e rrezikshme, shumë e tensionuar. Në kufirin lindor të Ukrainës ka një numër shumë të madh forcash ruse, çdo tërheqje e këtyre forcave ka qenë vetëm simbolike deri tani. Për këtë arsye Evropa nuk duhet të heqë dorë nga përgatitja e një raundi të tretë sanksionesh," tha zoti Hague.

Shefja e politikës së jashtëme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton tha se zërat se trupat ruse po tërhiqen nuk janë verifikuar nga NATO-ja.

"Është shumë, shumë e rëndësishme që Rusia të tregojë se e ka seriozisht për uljen e tensioneve , duke tërhequr trupat," tha zonja Ashton.

Vendet perëndimore kanë miratuar tashmë sanksione ndaj Rusisë për shkak të aneksimit prej saj të gadishullit të Krimesë, një hap ky që është kundërshtuar nga SHBA dhe aleatët e tyre.

Rusia i futi trupat në gadishull muajin e kaluar pas largimit të presidentit të Ukrainës Viktor Janukoviç, i cili mbështetej nga Moska. Largimi i tij erdhi pas shumë javë protestash të opozitës.

Dje, udhëheqësit e rinj të Ukrainës që janë miqësorë ndaj Perëndimit, fajësuan agjentët rusë dhe zotin Janukoviç për gjakderdhjen dyditëshe gjatë protestave, ku u vranë më shumë se 100 njerëz.

Misteri i vdekjes së protestuesve në Kiev në muajin shkurt ka ushqyer mjaft teori komplotesh. Presidenti rus Vladimir Putin ka lënë të kuptohet se vetë demonstruesit ishin të armatosur dhe vepruan për të diskredituar qeverinë e presidentit të atëhershëm Janukoviç.

Ministri i Brendshëm në detyrë, Arsen Avakov e ka lidhur vrasjen e të paktën 17 protestuesve me policinë speciale që vepronte nën urdhrat e zotit Janukoviç. Ai tha se janë identifikuar 12 policë dhe autoritetet kanë filluar arrestimin e tyre.
XS
SM
MD
LG