Lidhje

Tiranë: Komisioneri Hahn u bëri thirrje partive të miratojnë reformën e drejtësisë


Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn, vizitoi sot Tiranën për të nxitur focat politike të ecin përpara me reformimin e sistemit të drejtësisë, për ta bërë atë të dobishëm për qytetarët dhe ekonominë.

Zoti Hahn bëri thirrje për dialog politik mes palëve për reformimin e gjykatave dhe të proesit zgjedhor dhe zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

Ai tha në konferencën e shtypit pas dialogut Shqipëri - BE se çelja e negociatave për anëtarësim në BE është një datë, por procesi është më i rëndësishëm.

Komisioneri i BE-së, Hahn tha se Shqipëria duhet të nisë këtë proces, që të shohim angazhimin e saj dhe të bëhen analizat e duhura.

Ai theksoi se integrimi është krejtësisht detyra dhe përvoja e shqiptarëve dhe se mbetej ende shumë punë për të bërë.

Zoti Hahn tha se BE ishte e pranishme për të moderuar dialogun mes palëve për miratimin e shpejtë të një reforme të thellë në drejtësi.

Ndërsa kryeaministri Edi Rama, tha se reformat kanë ecur, por ka shumë punë me reformën në drejtësi, me thellimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Takimi i Dialogut të Nivelit të Lartë e konfirmoi angazhimin e dyanshëm të Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për progresin e bërë drejt stacionit të radhës, që është çelja e negociata. Nuk është dhimbja, sakrificat dhe vështirësitë që sjellin reformat një detyrim që ia kemi BE-së, por një detyrim që ia kemi fëmijëve tanë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër” - tha zoti Rama.

Kryeministri Rama tha në tryezën e dialogut me Bashkimin Europian, se “integrimi është qëllimi i përbashkët shumicës dhe opozitës.

Ai i bëri thirrje opozitës për të nisur dialogun mbi reformimin e sistemit të drejtësisë, duke e quajtur këtë si një detyrë me rëndësi kombëtare. Ai tha se Shqipëria ka nevojë për një sistem drejtësie të denjë për një vend europian.

“Ftoj publikisht dhe në sytë e Hahn, Partinë Demokratike, që të ulemi në një tryezë mes nesh, pa praninë e çmuar të miqve dhe jemi të gatshëm ta dëgjojmë me vëmendjen dhe me respekt PD. Ekziston mundësia që të biem dakord që mosdakordësitë tonë ti trajtojmë në mënyrë të civilizuar. Ekziston mundësia që t'i ndajmë axhendat partiake apo reformat legjitime të një shumicave nga axhenda kombëtare, ku nuk ka mospërputhje serioze kur vjen puna tek rruga e përbashkët e integrimit europian” - tha zoti Rama.
Delegacionet e Shqipërisë dhe BE-së vlerësuan që miratimi i reformës së sistemin e drejtësisë është shtegu i duhur për çeljen e negociatave. Kjo reformë do të shtojë luftën kudër krimit të organizuar dhe korrupsionit, forcimit e hetimit dhe ndëshkimit të krimit.
Komisioneri i BE për zgjerimin, Johanes Hahn u takua gjatë vizitës në Tiranë me presidentin Bujar Nishani, me kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha dhe mori pjesë në punimet e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ku të gjithë faktorët politikë kanë të drejta të barabarta dhe miratojnë së bashku etapat e procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG