Lidhje

Komisioneri i BE-së J. Hahn viziton Shkupin


Komisioneri për politikat e fqinjësisë dhe zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn ndodhet në Shkup për të ndërmjetësuar bisedimet midis pushtetit dhe opozitës, për t’i dhënë fund krizës politike që ka përfshirë Maqedoninë që prej gjashtë muajsh.

Komisioneri i filloi takimet e ndara, së pari me Menduh Thaçin, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, më pas me Ali Ahmetin, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, me Zoran Zaevin e Lidhjes Social Demokrate dhe në fund me Nikolla Gryevskin, kryetar i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër.

Më pas komisoneri Hahn dhe katër drejteusit e partive më të mëdha do të takohen të gjithë së bashku. Zoti Hahn shoqërohet nga tre deputetë të Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, Ivo Vajgël dhe Richard Howitt, që së bashku me ambasadorin amerikan në Shkup Jess Baily janë në rolin e lehtësuesve në këto bisedime.

Para fillimit të takimeve ai u shpreh se “shpreson se dita e sotme do të rezultojë me sukses”, siç ka shkruajtur ai në rrjetet sociale.

Biseidmet e sotme kanë për bazë marrëveshjen e 2 qershorit të ndërmjetësuar po nga komisioneri Johannes Hahn, e cila parashikon zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshsme deri në prill të vitit të ardhshëm. Ndonëse ajo shënonte një hap përpara drejt zgjidhjes së ngërçit, marrëveshja e 2 qershorit nuk saktësonte se kush do t’i organizonte zgjedhjet e parashikuara.

Opozita ngul këmbë që zgjedhjet të organizohen nga një qeveri e përkohshme dhe ajo u tërhoq nga bisedimet me kryeministrin, duke thënë se zoti Gruevski nuk kishte ndërmend të largohej nga posti, që t’i haapte rrugën një qeverie të përkohshme.

Komuniteti ndërkombëtar e vlerëson marrëveshjen e 2 qershorit si mundësinë e vetme për kapërcimin e krizës dhe ngul këmbë që ajo të respektohet nga të gjitha palët.

Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland, e cila ishte të hënën në Shkup u kërkoi autoriteteve dhe drejtuesve politik që kriza të zgjidhet sa më shpejtë, në mënyrë që Maqedonisë t’i hapet rruga drejt integrimeve euro-atlantike.

Marrëveshja kornizë e 2 qershorit parasheh reforma të gjyqsorit, të Kodit zgjedhor dhe lirinë e medias.

XS
SM
MD
LG