Lidhje

Vendoret, mbyllet fushata elektorale


Shënohet një incident në Lezhë. Qëllohet me armë në ajër pranë makinës me të cilën udhëtonte deputetja e LSI-së Monika Kryemadhi. LSI akuzon eksponentët e PD-së

Në Shqipëri partitë politike mbyllën mbrëmë fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të së dielës. E djathta zhvilloi mitingun e saj në sheshin Nënë Tereza në Tiranë. Kryetari i opozitës Lulzim Basha, ashtu sikundër ka bërë gjatë gjithë fushatës, ka vënë theksin te fakti se sipas tij, e majta që erdhi në pushtet nuk mbajti premtimet, por përkundrazi i braktisi shqiptarët . “Dy vite më parë dyshja Rama-Meta mori pushtetin se premtuan se do ishte në krahun e qytetarëve. Kur premtuan 300 mijë vende pune për të marrë vota, shkatërruan mijëra të tjera. Premtuan uljen e çmimit të energjisë dhe naftës po i rritën ato. Tani që ora e të vërtetës arriti, kërkojnë t’u mbyllin gojën qytetarëve dhe kandidatëve tanë”, tha zoti Basha sipas të cilit e djathta ka ofertën e zgjidhjes dhe të shpëtimit.

Kreu i opozitës, nuk la pa përmendur akuzat për lidhjet e shumicës me njerëz të krimit dhe me korrupsionin. “Rama-Meta kanë kandiduar njerëz të zhytur në krim e korrupsion. Më 21 qershor do të krahasojmë kandidatët. Nuk ka krahasim. Oligarkia e di mirë, prandaj sheh si rrugëzgjidhje vetëm kërcënimet e shantazhet. Për ne këto zgjedhje janë kushtrimi që demokratët e kanë ndjerë që nga ditët e para kur qytetarët rrëzuan murin e bllokut”.

Një hapësirë e vecantë në mitingun përmbyllës të së djathtës zuri dhe fjala e kandidatit të saj për Bashkinë e kryeqytetit Halim Kosova, sipas të cilit “qytetarët nuk kanë arësye t'i japin pushtet një politikani si ai i qeverisë që kërkon të bëjë karrierë dhe ka vetëm këtë ambicje në garë. U kam folur drejtpërdrejt qytetarëve të Tiranës. Nuk jam politikan tipik dhe nuk shpërndaj iluzione apo hije mashtrimi për 1 milionë banorët e Tiranës. Nuk po kërkoj pushtet. Po kërkoj që qytetarët të vijnë në pushtet dhe ta bëjnë bashkinë të vetën, një zyrë që harmonizon kërkesat, zgjidh hallet, investon aty ku e lyp nevoja” - tha zoti Kosova.

Nga ana e saj, e majta zhvilloi mitingun e saj të fundit në Durrës. Kryeministri Edi Rama deklaroi se pushteti 8 vjecar i së djathtës ka sjellë dëme të mëdha. “Ai pushtet nuk ishte thjesht ajo qeveria që kishim në Tiranë, por ishte një verbëri në marrëdhëniet me trupin e vendjetesës tonë, një shurdhëri në marrëdhëniet me nevojat e shpirtit të njerëzve që jetojnë trupin e qytetit…ishte pushteti i varfërisë së aspiratave, që mjaftohej me asfaltin e hedhur nëpër rrugët pa standarde, në shkollat e rindërtuara pa cilësi, në ujësjellësit dhe kanalizimet e investuara pa plan dhe krenohej me riparime pa asnjë shije të re të një Shqipërie që zhvillohej në vite duke u rrënuar. Humbëm kohë të artë mundësish përgjatë të cilës, në vend që ta çonin zhvillimin e qytetit shqiptar në drejtimin e duhur, duke filluar nga qendrat drejt periferive dhe duke ruajtur kurorat e gjelbra, u gjendëm nën bombardimin e një zhvillimi kanceroz, që shpërtheu ku mundi nëpër trupin e Shqipërisë, çibanët e një shëmtimi të turpshëm”, u shpreh zoti Rama.

Në mbrëmje vonë, u shënua dhe një incident në Lezhë. Deputetja e Lëvizjes socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, po lëvizte me një makinë në afërsi të fshatit Rrilë, kur nga një automjet pranë saj, mësohet se është qëlluar me armë. “Njerëz të armatosur, banditë, nën shoqërinë e deputetëve të Partisë Demokratike, kanë qëlluar me armë zjarri pranë makinës ku udhëtonte deputetja Monika Kryemadhi me shtabin elektoral të kandidatit për bashkinë e Lezhës, Viktor Tushaj”, u shpreh pak para mesnatës sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama, në një deklaratë për mediat, ndërkohë që më parë ishte folur se automjeti me të cilin udhëtonin personat që kishin qëlluar I përkiste deputetit demokrat Aldo Bumci. Për ngjarjen nuk ka ende asnjë njoftim zyrtar nga Policia. Ndërsa pas mesnate Partia demokratike, reagoi duke u shprehur se “dënon shpifjet e pabaza të Monika Kryemadhit ndaj deputetit Bumçi, në lidhje me një pretendim ende të pakonfirmuar edhe nga policia e vënë krejtësisht në shërbim të oligarkisë. Shpifja në adresë të deputetit Bumçi është një skenar djallëzor dhe kriminal për të nxitur tensione dhe për të çorientuar vëmendjen e opinionit publik me qëllim dhunimin e standardeve të zgjedhjeve, sepse Ilir Meta e di që e ka të sigurt humbjen në Lezhë. Partia Demokratike distancohet me neveri të plotë nga këta skenarë kriminalë dhe i bën thirrje të gjithë anëtarëve dhe votuesve rë saj në Lezhë të ruajnë gjakftohtësinë”, saktëson deklarata e PD-së.​

Trego komentet

XS
SM
MD
LG